BE u bën thirrje partive të mos ushtrojnë presion ndaj KGJK-së para mbledhjes për gjyqtarët serbë
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar një ditë para mbledhjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), duke u bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të shmangin çdo formë presioni ndaj këtij institucioni dhe anëtarëve të tij gjatë procesit të vendimmarrjes. Përmes një reagimi publik, BE-ja ka theksuar se pavarësia e gjyqësorit është…
Lajme
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar një ditë para mbledhjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), duke u bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të shmangin çdo formë presioni ndaj këtij institucioni dhe anëtarëve të tij gjatë procesit të vendimmarrjes.
Përmes një reagimi publik, BE-ja ka theksuar se pavarësia e gjyqësorit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe duhet të mbrohet nga çdo ndërhyrje politike, transmeton lajmi.net.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha subjekteve politike të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në vendimmarrje. Një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit në Bashkimin Evropian dhe në Kosovë”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Reagimi vjen në prag të mbledhjes së KGJK-së, e cila është planifikuar të mbahet të premten. Në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
Gjyqtarët dhe stafi serb ishin larguar nga institucionet e drejtësisë në nëntor të vitit 2022, kur kishin dorëzuar dorëheqjet në kuadër të largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës./lajmi.net/