Prokuroria ndalon për 48 orë të dyshuarin për vdekjen e një personi në bjeshkët e Deçanit
Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një person, i cili dyshohet se, nga pakujdesia, ka shkaktuar vdekjen e një personi me armë zjarri në bjeshkët e Komunës së Deçanit. Sipas Prokurorisë, menjëherë pas marrjes së informatës për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit, së…
Lajme
Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një person, i cili dyshohet se, nga pakujdesia, ka shkaktuar vdekjen e një personi me armë zjarri në bjeshkët e Komunës së Deçanit.
Sipas Prokurorisë, menjëherë pas marrjes së informatës për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit, së bashku me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, për të kryer veprimet e para hetimore, transmeton lajmi.net.
Nga provat e siguruara në vendin e ngjarjes dhe intervistimi i dëshmitarëve okularë, ekziston dyshimi se viktima ka humbur jetën si pasojë e shkrepjes së armës së zjarrit nga pakujdesia e të dyshuarit.
I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa në vendin e ngjarjes janë angazhuar edhe ekspertë të balistikës për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Po ashtu, arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale është sekuestruar, ndërsa hetimet po vazhdojnë me intervistimin e dëshmitarëve dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore.
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.