Edhe dy muaj paraburgim për Sh.B. akuzohet për tentimvrasje të një 16 vjecareje në Vushtrri
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Sh.B., i akuzuar për tentimvrasjen e 16-vjeçares në Vushtrri, më 27 nëntor 2025.. Lajmi është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj. Sipas saj, Departamenti për Krime të Rënda ka marrë aktvendim që masa e…
Lajme
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Sh.B., i akuzuar për tentimvrasjen e 16-vjeçares në Vushtrri, më 27 nëntor 2025..
Lajmi është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj.
Sipas saj, Departamenti për Krime të Rënda ka marrë aktvendim që masa e paraburgimit të vazhdohet nga 19 korriku deri më 19 shtator 2026.
Sh.B. akuzohet për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda kishte ngritur aktakuzë më 16 shkurt 2026 ndaj tij për tri veprat e lartpërmendura.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 27.11.2025 në oborrin e shtëpisë së Sh.B. në Vushtrri, ku ai dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të dy personave.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se pasi të dëmtuarit kishin hyrë në oborrin e tij, kishte shtënë me pushkë gjysmë-automatike në drejtim të tyre, duke e plagosur 16-vjeçaren E.V. në regjionin e shpatullës së majtë.
“Me pushkën e tij gjysmë-automatike ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve, me ç’rast është plagosur e mitura E.V., në regjionin e shpatullës së majtë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Si pasojë e të shtënave, nga predhat ishte dëmtuar një automjet në pronësi të I.B., si dhe një dritare e banesës së pronarit L.Sh.