Policia zbulon detajet e operacionit në DShAM: Dy gra zyrtare të MPB-së të arrestuara dhe një shtetas i huaj

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar një operacion në zyrat e Drejtorisë për Shtetësi, Azil dhe Migrim (DShAM), ku janë arrestuar katër persona nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale. Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar nga hetuesit policorë të Sektorit të Hetimeve të Departamentit të…

Lajme

22/07/2026 23:08

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar një operacion në zyrat e Drejtorisë për Shtetësi, Azil dhe Migrim (DShAM), ku janë arrestuar katër persona nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar nga hetuesit policorë të Sektorit të Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, pas një hetimi disa mujor dhe me autorizim të Departamentit për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raproton lajmi.net

Gjatë aksionit janë sekuestruar prova dhe dëshmi relevante që lidhen me rastin. Të arrestuarit përfshijnë dy zyrtare të DShAM-së, G.J. (1975) dhe F.Sh. (1979), si dhe një shtetas të huaj, D.K. (1988). Po ashtu është intervistuar edhe E.Q. (1972), në cilësi të të dyshuarës.

Sipas dyshimeve të ngritura nga hetuesit, personat e përfshirë kanë bashkëpunuar për lëshimin e lejeve të qëndrimit për shtetas të huaj në kundërshtim me procedurat ligjore, duke u mundësuar pajisjen me dokumentacion përkatës dhe duke përfituar dyshohet se dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

Ndaj të dyshuarve është iniciuar rast për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe “dhënie e ryshfetit”.

Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit e parë janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj personit të katërt procedura do të zhvillohet në gjendje të rregullt./Lajmi.net/