Sveçla mirëpret aksionin e Policisë dhe AKI-së: Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet

Katër persona janë arrestuar në një aksion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion. Në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtarë të Divizionit për të Huaj, një zyrtar i Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetas i huaj. Pas…

Lajme

22/07/2026 20:03

Katër persona janë arrestuar në një aksion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.

Në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtarë të Divizionit për të Huaj, një zyrtar i Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetas i huaj. Pas aksionit ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili e ka mirëpritur operacionin dhe ka ritheksuar se lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet institucional.

“Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtareve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore”, ka thënë Sveçla.

Ndërsa ka pohuar se mbeten të përkushtuar ndaj parimeve të integritetit, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik.

“Çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë. Luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional janë parakushte thelbësore për ofrimin e shërbimeve të drejta, efikase dhe transparente për qytetarët. Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve”, ka thënë Sveçla.