Lama: Vendimi i GJND-së legjitimoi pavarësinë e Kosovës, por Rusia dhe Kina frenojnë njohjet e reja

Ish-ambasadorja Alma Lama, ka folur lidhur me 16-vjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ajo ka folur për atë se sa e ka shfrytëzuar Kosova këtë opinion të GJND-së. “Vendimi i GJND-së në vitin 2010 për legjitimimin e pavarësisë së Kosovës është një nga fitoret më të…

Lajme

22/07/2026 19:16

Ish-ambasadorja Alma Lama, ka folur lidhur me 16-vjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Ajo ka folur për atë se sa e ka shfrytëzuar Kosova këtë opinion të GJND-së.

“Vendimi i GJND-së në vitin 2010 për legjitimimin e pavarësisë së Kosovës është një nga fitoret më të mëdha për Republikën e Kosovës, por është edhe një nga vendimet që konsiderohet më i rëndësishëm në të drejtën ndërkombëtare sa i përket vetëvendosjes dhe krijimit të shteteve të reja. Ai është ndër temat më të studiuara, më të debatuara, më të përdorura, por ndoshta edhe më të keqpërdorura, si në rastin e Rusisë, e cila përpiqet të justifikojë pushtimin e krahinave në Gjeorgji dhe të Krimesë pikërisht me rastin e Kosovës, gjë që nuk qëndron juridikisht”, ka thënë ajo në dukagjin.

Ajo ka shtuar se, pas shpalljes së këtij vendimi të GJND-së, Kosova ka marrë disa njohje nga shtete të ndryshme, të cilat kishin nevojë për qartësi juridike.

Sa i përket diplomacisë së Kosovës, ish-ambasadorja ka thënë se vendimi i GJND-së është shfrytëzuar, por se procesi i njohjeve ka ngecur te ato shtete që “kanë aleanca ende dhe janë nën influencën ruse ose kanë aleanca me Kinën.”

“Nuk po them që nuk ka shtete të tjera të cilat nuk lëvizin, por në përgjithësi shtetet në të cilat Perëndimi dhe vendet e tjera, si Turqia, kanë pasur influencë, e kanë bërë njohjen e Kosovës”, ka përfunduar ajo.