Rizvanolli: Investimet në Kosova B do t’ia zgjasin jetën termocentralit edhe për 20 vite dhe do ta ulin ndotjen deri në 97 për qind

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se investimet që po realizohen në termocentralin Kosova B janë ndër më të rëndësishmet që janë bërë ndonjëherë në këtë termocentral, duke theksuar se ato do të rrisin sigurinë e furnizimit me energji elektrike, do ta zgjasin jetën e termocentralit dhe do ta ulin ndjeshëm ndotjen. Duke…

Lajme

22/07/2026 15:41

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se investimet që po realizohen në termocentralin Kosova B janë ndër më të rëndësishmet që janë bërë ndonjëherë në këtë termocentral, duke theksuar se ato do të rrisin sigurinë e furnizimit me energji elektrike, do ta zgjasin jetën e termocentralit dhe do ta ulin ndjeshëm ndotjen.

Duke folur në RTK, ajo tha se vendimet për tarifat e energjisë elektrike janë kompetencë e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ndërsa Ministria e Ekonomisë është e fokusuar në investimet që forcojnë sistemin energjetik.

“Ju e dini që institucioni kompetent për tarifat është rregullatori dhe rregullatori i merr vendimet në bazë të një ligji dhe në bazë të kushteve të tregut. Çfarë është shumë me rëndësi është që jemi duke bërë investime në njërën anë në burime të ripërtëritshme të energjisë dhe në anën tjetër jemi duke bërë rehabilitimet dhe modernizimet në termocentralet tona ekzistuese që na e rrisin sigurinë e furnizimit”, tha Rizvanolli.

Ajo tha se aktualisht në termocentralin Kosova B po zhvillohen punime në modernizimin e turbinës së bllokut B1, ndërsa njëkohësisht ka nisur edhe projekti për elektrofiltrat.

“Është duke punuar në njërën anë në modernizim të turbinës në bllokun B1, siç është bërë modernizimi i turbinës në bllokun B2 vitin e kaluar që e ka rritur për 35 megavat fuqinë prodhuese të atij blloku, dhe njëkohësisht në B1 ka filluar puna edhe për projektin e elektrofiltrave, që është një projekt i financuar dhe i kontraktuar nga Bashkimi Evropian”, tha ajo.

Rizvanolli theksoi se ky është modernizimi i parë i këtij niveli që nga ndërtimi i termocentralit.

“Këto investime, që janë bërë vitin e kaluar dhe tani, nuk janë bërë kurrë më herët. Ka pasur riparime të vogla, remonte të rregullta, mirëpo modernizimi, rehabilitimi po bëhet për herë të parë që 42 vite prej se është në operim termocentrali Kosova B”, tha ajo.

Sipas saj, investimet do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetëgjatësinë e termocentralit dhe në uljen e ndotjes.

“Me këto investime për së paku 20 vite ne e rrisim jetëgjatësinë e termocentralit Kosova B, por edhe bëhet shumë më i sigurt për operim dhe ndotja prej tij ulet për deri në 97 për qind, pra ndotja nga pluhuri. Do të thotë qytetarët e Prishtinës, Fushë Kosovës edhe veçanërisht të Obiliqit do të kenë një cilësi më të mirë të ajrit”, tha Rizvanolli.

Ministrja u ndal edhe te fotografitë që shpesh publikohen në rrjetet sociale për tymin e zi nga termocentralet.

“Për tymin e zi që qarkullojnë nganjëherë fotografitë, në së paku një rast ose dy që është folur për këtë dhe është publikuar, çfarë nuk është treguar është që ajo ka qenë nga djegia e mazutit në fillim kur fillon blloku te termocentrali Kosova A, që nuk është e zakonshme”, tha Rizvanolli.

Megjithatë, ajo pranoi se ndotja nga termocentralet mbetet e lartë për shkak të përdorimit të qymyrit.

“Sido që të jetë, ndotja nga termocentralet është e lartë. Përdorim ende shumë qymyr, edhe pse përdorimi i qymyrit është duke u ulur. Para pesë-gjashtë viteve kemi pasur 3.5 deri në 5 për qind nga burimet e ripërtëritshme të energjisë. Sot i kemi 10 për qind nga burimet e ripërtëritshme të energjisë. Do të thotë është dyfishuar, jemi duke ecur në drejtimin e duhur dhe kjo është me rëndësi”, shtoi ministrja.

Rizvanolli foli edhe për importin e energjisë elektrike, duke sqaruar se ai është rritur përkohësisht për shkak të investimeve që po realizohen në termocentral.

“Në këtë periudhë sigurisht që importi është më i lartë duke qenë se investimet janë duke u bërë. Një bllok i termocentralit Kosova B prodhon mbi 250 megavat”, tha ajo.

Tha se punimet janë planifikuar në periudhën kur konsumi i energjisë është më i ulët, mirëpo sipas saj, kjo nuk e ndryshon faktin që për shtatë muaj e gjysmë blloku pritet të jetë jashtë funksionit për t’u kryer këto investime dhe rrjedhimisht kjo energji duhet të zëvendësohet.