Aksion ndaj 26 parkingjeve private në Prizren e Suharekë për shmangie ndaj tatimeve, Prokuroria jep detaje

Policia e Kosovës bashkë me ATK-në, Inspektoratin Qendror të Punës dhe Inspektoratin e MINT-it, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren kanë realizuar një aksion në Prizren dhe Suharekë. Ky aksion është realizuar në 26 parkingje të veturave, shkruan lajmi.net. Detaje në lidhje me të ka dhënë Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, të…

Lajme

22/07/2026 16:00

Policia e Kosovës bashkë me ATK-në, Inspektoratin Qendror të Punës dhe Inspektoratin e MINT-it, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren kanë realizuar një aksion në Prizren dhe Suharekë.

Ky aksion është realizuar në 26 parkingje të veturave, shkruan lajmi.net.

Detaje në lidhje me të ka dhënë Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, të cilët ka thënë se ka të bëj me shmangie nga tatimi.

“Prizren dhe Suharekë / 21.07.2026 – 10:00. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe në bashkëpunim me institucionet tjera ligj zbatuese  si: Administrata Tatimore e Kosovës, Inspektorati Qendror i Punës, Inspektorati Qendror i Ministrisë së Tregtisë, ka ndërmarrë veprime ndaj disa auto parkingjeve ku janë evidentuar shkelje të ndryshme, ndaj të cilave janë ndërmarrë veprimet përkatëse nga institucionet kompetente”, thuhej në raport. 

Në lidhje me rastin, gjithashtu detaje ka dhënë edhe Inspektorati Qendror i Punës.

Ata kanë thënë se aksioni është zhvilluar në gjithsej 26 auto-parkingje, me qëllim të verifikimit të respektimit të legjislacionit në fuqi dhe evidentimit të parregullsive që lidhen me ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve.

“Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të ndryshme, për të cilat institucionet pjesëmarrëse kanë ndërmarrë veprimet përkatëse, secila në përputhje me kompetencat, mandatin dhe përgjegjësitë e saj ligjore. Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në bashkëpunimin ndërinstitucional për forcimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të ligjshëm të punës”, ka njoftuar Inspektorati.

Për lajmi.net, detaje ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Prizren që e kanë lëshuar autorizimin për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, ndërkaq ka thënë se zyrtarët policorë, në zbatim të këtij autorizimi, kanë ndërmarrë veprime procedurale dhe veprime për grumbullimin e provave në terren.

Ata kanë thënë se janë në fazën fillestare të grumbullimit dhe sigurimit të provave dhe me qëllim ruajtjen e integritetit të hetimeve, nuk mund të ofrojnë më shumë detaje.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit pranë Prokurorisë Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka lëshuar autorizimin për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, ndërsa zyrtarët policorë, në zbatim të këtij autorizimi, kanë ndërmarrë veprime procedurale dhe veprime për grumbullimin e provave në terren. Megjithatë, duke qenë se rasti ndodhet ende në fazën fillestare të grumbullimit dhe sigurimit të provave, Prokuroria Themelore në Prizren, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe me qëllim të ruajtjes së integritetit të procedurës hetimore, nuk mund të ofrojë më shumë detaje apo të komentojë lidhur me këtë rast në këtë fazë të procedurës”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Prizren për lajmi.net. /Lajmi.net/