PSRK kërkon konfiskimin e pasurisë së Florim Zekajt dhe pagesën e 356 mijë eurove si vlerë zëvendësuese

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën dëgjimore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë ndaj Florim Zekajt, në përfundim të procesit, të mërkurën, prokurori special Kastriot Memaj kërkoi konfiskimin e pasurisë së fituar kundërligjshëm nga i akuzuari, ndërkaq vetë Zekaj përmes mbrojtësit- avokatit Ramadan Shatri e kundërshtoi një propozim të tillë. Gjykatësi i rastit, Rrahman…

Lajme

22/07/2026 14:17

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën dëgjimore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë ndaj Florim Zekajt, në përfundim të procesit, të mërkurën, prokurori special Kastriot Memaj kërkoi konfiskimin e pasurisë së fituar kundërligjshëm nga i akuzuari, ndërkaq vetë Zekaj përmes mbrojtësit- avokatit Ramadan Shatri e kundërshtoi një propozim të tillë.

Gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri konstatoi paraprakisht se Gjykata ka pranuar raportin e vlerësimit të dorëzuar nga eksperti Arben Bajramaj, si dhe u bë administrimi i provave materiale të propozuara nga Prokuroria si dhe ato të nxjerra nga Gjykata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më tej, seanca vazhdoi me fjalën përfundimtare të palëve, ku prokurori Memaj tha se në fund të shqyrtimit u vërtetua pa mëdyshje se veprat penale për të cilat i akuzuari Zekaj është shpallur fajtor hyjnë në kuadër të Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.

Sipas Memajt, barra e provës për të vërtetuar të kundëtën sipas ligjit i takon të akuzuarit Zekaj, e që sipas tij i njëjti ka dështuar ta provojë një gjë të tillë.

Prokurori tha edhe përkundër faktit që pasuria është transferuar te persona të tretë, qëllimi i lijgit në fjalë është që ta ndalojë edhe këtë mënyrë të aktivitetit kriminal.

Në fund, prokurori Memaj i propozoi Gjykatës që të aprovojë si të bazuar kërkesën për verifikim të pasurisë dhe të urdhërojë konfiskimin e pasurisë së Zekajt dhe atë shtëpinë në Istog prej 250 metra matror, objektin komercial 110 metra katror dhe percela të tjera.

Memaj shtoi se Gjykata si hap të dytë duhet të vlerësojë se pasi për shkak të transferimit të pronave të personi i tretë- konfiskimi i drejtpërdrejtë është i pamundur, atëherë të obligojë Zekajn që të paguajë shumën prej 356 mijë euro si vlerë zëvendësuese.

Këtë deklarim të prokurori Memaj, e përkrahën palët e dëmtuara, Hava dhe Avdi Fekaj. Ky i fundit tha se Zekaj ia ka vjedhur paratë.

“Zoti e gjykoftë, me falsifikim m’i ka vjedhë paratë”, tha Avdi Fekaj.

Ndërkaq Hava Fekaj tha se nga Gjykata pret që të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjor, ashtu sikurse parasheh Ligji për kompetencat e zgjeruara.

Ndërkaq, avokati Shatri e kundërshtoi në tërësi propozimin e prokurorit Memaj, duke thënë fillimisht se procedurës së verifikimit dhe konfiskimit të propozuar nga Prokuroria nuk i paraprin një urdhër kufizues përfundimtar.

Sipas Shatrit, prona që ka qenë objekt verifikimi nuk është pronë e të pandehurit Zekaj dhe se Prokuroria përkundër faktit që ka pasur mundësi ligjore të fus edhe palën e tretë, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Më tej, avokati deklaroi se me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij është shpall fajtor për ndonjë vepër që do t’i nënshtrohej konfiskimit. I propozoi Gjykatës që propozimin e Prokurorisë ta refuzojë si të pabazuar.

Në fund, gjykatësi Beqiri e shpalli të përfunduar procesin, duke i njoftuar palët me datën e shpalljes së vendimit.

Në seancën e 26 janarit 2026, prokurori Kastriot Memaj sqaroi se Zekaj është dënuar me vendim të formës së prerë i cili i është nënshtruar edhe kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku është përcaktuar obligimi që të dëmtuarve t’iu kompensohet shuma prej 173 mijë e 944 euro. Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë ishte parashtruar nga mbrojtja e Zekajt dhe Ademit. Memaj sqaroi se bazuar në këtë vendim, PSRK ka parashtuar kërkesë për verifikim prone dhe konfiskim të saj në vlerën prej 173 mijë e 944 euro, bazuar në Ligjin për kompetencat e zgjeruara.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, në shkurt të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykim, me të cilin i akuzuari Zekaj, për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”, ishte dënuar me burg në kohëzgjatje prej 2 vjetësh, për dy vepra penale “Mashtrim”, ishte dënuar me nga 1 vit burg dhe me nga 3,000 euro gjobë, si dhe për “Shpëlarje të parave”, ishte dënuar me 1 vit burg dhe 6,000 euro gjobë. Dënimi unik që ishte shqiptuar ndaj tij nga gjykata kishte qenë 4 vjet e 10 muaj burgim si dhe 12,000 euro gjobë. Ndërkaq, Zekaj ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të ndihmës në falsifikimin e dokumenteve.

Gjithashtu, ai ishte obliguar të kompensojë të dëmtuarin Avdi Fekaj, në shumë prej 172,944.00 euro, në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në llogarinë e të dëmtuarit Avdi Fekaj. Florim Zekaj, ishte obliguar nga gjykata të kompensojë edhe palën tjetër të dëmtuar, Bekim Maliqin, i cili asnjëherë nuk ishte paraqitur gjatë gjykimit, në shumën prej 61.944.00 euro.