Mbi 128 milionë euro për import të energjisë në vetëm gjashtë muaj, Kosova pagoi shtrenjtë por sërish u përball me reduktime

Kosova ka vazhduar të mbështetet fuqishëm në importin e energjisë elektrike edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, duke shpenzuar mbi 128 milionë euro për të siguruar furnizimin me energji. Megjithëse janë investuar shuma të konsiderueshme për blerjen e energjisë nga jashtë, qytetarët në shumë raste janë përballur me ndërprerje dhe reduktime të furnizimit.…

Lajme

22/07/2026 14:23

Kosova ka vazhduar të mbështetet fuqishëm në importin e energjisë elektrike edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, duke shpenzuar mbi 128 milionë euro për të siguruar furnizimin me energji. Megjithëse janë investuar shuma të konsiderueshme për blerjen e energjisë nga jashtë, qytetarët në shumë raste janë përballur me ndërprerje dhe reduktime të furnizimit.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë periudhës janar-qershor 2026 në Kosovë janë importuar gjithsej 1 milion e 193 mijë e 288.04 megavat-orë (MWh) energji elektrike, me një vlerë totale prej 128 milionë e 19 mijë e 585.98 euro, shkruan lajmi.net.

Muaji me koston më të lartë të importit ishte janari. Vetëm gjatë këtij muaji Kosova importoi 293 mijë e 207.09 MWh energji elektrike, për të cilat u paguan 35 milionë e 806 mijë e 685.09 euro.

Pjesa më e madhe e energjisë gjatë janarit u sigurua nga Shqipëria, prej nga u importuan 173 mijë e 880.09 MWh në vlerë prej 20 milionë e 275 mijë e 436.26 euro, ndërsa Maqedonia e Veriut ishte furnizuesi i dytë më i madh.

Edhe në muajin shkurt importi mbeti në nivele të larta. Gjatë këtij muaji në Kosovë u importuan 166 mijë e 70 MWh energji elektrike, me një kosto prej 21 milionë e 81 mijë e 77.18 euro. Furnizuesit kryesorë ishin Maqedonia e Veriut, nga e cila u importuan 82 mijë e 806 MWh në vlerë prej 11 milionë e 152 mijë e 28.30 euro, si dhe Shqipëria.

Në muajin mars vendi importoi 184 mijë e 615.85 MWh energji elektrike, ndërsa vlera e importit arriti në 16 milionë e 689 mijë e 268.33 euro. Shqipëria dominoi edhe gjatë këtij muaji me 123 mijë e 89.85 MWh, në vlerë prej mbi 10.3 milionë eurosh, ndërsa Maqedonia e Veriut ishte furnizuesi i dytë.

Importi vazhdoi me ritëm të lartë edhe në prill. Sipas të dhënave, Kosova bleu nga jashtë 150 mijë e 130.77 MWh energji elektrike, duke shpenzuar 16 milionë e 866 mijë e 538.25 euro. Shqipëria mbeti burimi kryesor i furnizimit me 71 mijë e 20.77 MWh, ndërsa pjesa tjetër u sigurua kryesisht nga Maqedonia e Veriut.

As rritja e temperaturave nuk solli ulje të konsiderueshme të importeve. Në muajin maj u importuan 162 mijë e 362.92 MWh energji elektrike, me një vlerë prej 15 milionë e 710 mijë e 488.98 euro. Këtë herë furnizuesi kryesor ishte Maqedonia e Veriut me 77 mijë e 305 MWh në vlerë prej 7 milionë e 359 mijë e 414.69 euro, ndërsa Shqipëria renditej e dyta me 69 mijë e 139.92 MWh.

Në prag të sezonit veror, importi u rrit sërish ndjeshëm. Gjatë muajit qershor Kosova importoi 236 mijë e 901.41 MWh energji elektrike, duke paguar 21 milionë e 865 mijë e 528.15 euro. Edhe këtë muaj Shqipëria ishte furnizuesi kryesor me 112 mijë e 610.41 MWh, ndërsa Maqedonia e Veriut zinte vendin e dytë.

Në total, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, Kosova importoi mbi 1.19 milion MWh energji elektrike, ndërsa fatura për blerjen e saj nga jashtë kaloi 128 milionë euro.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se, krahas importeve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, energji elektrike është importuar edhe nga Serbia.

Edhe pse sasitë janë shumë më të vogla krahasuar me shtetet e tjera, importi nga Serbia është regjistruar në tre muaj të ndryshëm të vitit 2026. Në total janë importuar 820 MWh energji elektrike, për të cilat janë paguar 91 mijë e 692.39 euro.

Sipas të dhënave, në shkurt nga Serbia u importuan 440 MWh në vlerë prej 50 mijë e 260.39 euro, në mars 240 MWh në vlerë prej 29 mijë e 952 euro, ndërsa në qershor edhe 140 MWh të tjera në vlerë prej 11 mijë e 480 euro.

Shifrat dëshmojnë se edhe gjatë vitit 2026 Kosova ka mbetur e varur në masë të madhe nga importi i energjisë elektrike, ndërsa kostoja e lartë e blerjes nga tregjet ndërkombëtare vazhdon të rëndojë mbi sektorin energjetik të vendit. /Lajmi.net/