Hyseni kujton vendimin e GJND-së: Përfaqësova Kosovën në sfidën më të madhe diplomatike

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, ka përkujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e cilësuar atë si fitoren më të madhe diplomatike të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Në një shkrim të gjatë të publikuar në Facebook, Hyseni rikujtoi procesin që çoi deri te vendimi historik…

Lajme

22/07/2026 12:38

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, ka përkujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e cilësuar atë si fitoren më të madhe diplomatike të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.

Në një shkrim të gjatë të publikuar në Facebook, Hyseni rikujtoi procesin që çoi deri te vendimi historik i 22 korrikut 2010, kur GJND-ja konstatoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Hyseni theksoi se kishte koordinuar të gjithë procesin dhe kishte përfaqësuar Republikën e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e përshkruar atë si përgjegjësinë më të madhe të jetës së tij politike.

Sipas tij, në kohën kur Serbia kishte iniciuar kërkesën për mendim këshillëdhënës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Kosovë mbizotëronte bindja se beteja juridike ishte e humbur.

“Për hir të së vërtetës, më duhet të them se në Kosovë ato ditë çuditërisht mbisundonte bindja se gara në GJND ishte apriori e humbur”, shkroi Hyseni.

Ai tregoi se, pavarësisht skepticizmit, kishte pranuar detyrën me besim të plotë në argumentet juridike të Kosovës, duke kërkuar nga presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi liri të plotë në drejtimin e procesit dhe përzgjedhjen e ekipit.

Hyseni bëri të ditur se Kosova kishte angazhuar një ekip të njohur ekspertësh ndërkombëtarë dhe kishte koordinuar ngushtë punën me shtetet që mbështetën argumentet e saj para GJND-së, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Austrinë, Shqipërinë dhe një sërë vendesh të tjera.

Ai zbuloi edhe një detaj të panjohur deri më tani, duke thënë se kishte përgatitur dorëheqjen e parevokueshme në rast se vendimi i Gjykatës do të ishte i pafavorshëm për Kosovën.

“Për çdo rast, në xhep tashmë mbaja letrën e nënshkruar të dorëheqjes, të cilën do ta bëja publike në rast se do të dilnim humbës”, shkroi ai.

Sipas Hysenit, më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me shumicë prej 10 votash kundrejt 4, konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa ai e përshkroi atë moment si një fitore monumentale për shtetin e Kosovës dhe një nga emocionet më të mëdha të jetës së tij politike.

Në fund të reagimit, Hyseni vlerësoi se opinioni i GJND-së mbetet një prej fitoreve më të rëndësishme juridike dhe diplomatike të Kosovës, që vazhdon të shërbejë si bazë e fuqishme për legjitimitetin ndërkombëtar të shtetit. /Lajmi.net/