Polici nga Prizreni dyshohet të jetë vetëvrarë në Kukës – Prokuroria e përgjithshme jep detaje
Zyrtari policor i Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës, Shaban Hajdari është gjetur sot pa shenja jete në varrezat e fshatit Morinë të Kukësit. Fillimisht, detaje për rastin, ka dhënë Policia e Shtetit të cilët kanë thënë se viktima është i moshës 35 vjeçare dhe dyshohet se ka vrarë veten me armë…
Lajme
Zyrtari policor i Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës, Shaban Hajdari është gjetur sot pa shenja jete në varrezat e fshatit Morinë të Kukësit.
Fillimisht, detaje për rastin, ka dhënë Policia e Shtetit të cilët kanë thënë se viktima është i moshës 35 vjeçare dhe dyshohet se ka vrarë veten me armë zjarri, shkruan lajmi.net.
“Më datë 22.07.2026, rreth orës 08:25, në varrezat e fshatit Morinë është gjetur pa shenja jete shtetasi Sh. H., 35 vjeç, banues në Prizren, punonjës policie në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren. Nga veprimet paraprake hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka vrarë veten me armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, është thënë në njoftimin e policisë shqiptare, duke treguar se ky institucion po bashkëpunon me Policin e Kosovës për zbardhjen e rastit.
Ata kanë thënë se Policia e Shtetit po bashkëpunon me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e zjarrit e sekuestruar është armë zyrtare.
“Ndërkohë, Policia e Shtetit po bashkëpunon me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e zjarrit e sekuestruar është arma e shërbimit të 35-vjeçarit, si dhe për sigurimin e çdo informacioni që do t’i shërbejë dokumentimit të plotë ligjor të rastit”, është thënë në njoftim
Detaje për këtë rast, për lajmi.net kanë dhënë edhe nga Prokuroria në Kukës.
Ata kanë thënë se po kryhen hetime.
“Ne lidhje me ngjarjen, akoma nuk kemi informacion zyrtar per ta ndare me ju. Jane duke u kryer veprime hetimore nga prokurori i gatshem dhe grupi hetimor ne vendin e ngjarjes”, ka thënë zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Eglantina Cena.
Në vendin ku ka ndodhur rasti ka dal edhe Policia e Kosovës të cilët e kanë identifikuar viktimën dhe e kanë konfirmuar se ai është zyrtar policor në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren.
“Sot, më datë 22.07.2026, Policia e Kosovës është njoftuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë se rreth orës 08:25, në varrezat e fshatit Morinë, është gjetur pa shenja jete shtetasi me inicialet SH.H., 35 vjeç, banues në Prizren. Pas pranimit të informatës, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është bërë identifikimi i viktimës. Është konfirmuar se viktima ishte zyrtar policor në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren. Sipas veprimeve paraprake hetimore të ndërmarra nga Policia e Republikës së Shqipërisë, dyshohet se 35-vjeçari ka kryer vetëvrasje me armë zjarri (pistoletë), e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga autoritetet kompetente”, ka thënë Policia e Kosovës.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura as rrethanat dhe as motivi që ka çuar deri tek ky rast. /Lajmi.net/