Islami: Ndërtimet pa leje rrënohen në gjithë Kosovën, përfshirë veriun
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar pas raportimeve të disa mediave serbe lidhur me aksionin për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” në zonën e Liqenit të Ujmanit, duke theksuar se zbatimi i ligjit ndaj ndërtimeve ilegale zhvillohet në të gjithë territorin e Kosovës dhe nuk…
Lajme
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar pas raportimeve të disa mediave serbe lidhur me aksionin për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” në zonën e Liqenit të Ujmanit, duke theksuar se zbatimi i ligjit ndaj ndërtimeve ilegale zhvillohet në të gjithë territorin e Kosovës dhe nuk është i kufizuar vetëm në veri.
Në një postim në Facebook, Islami kujtoi se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë vazhdimisht aksione për largimin e ndërtimeve pa leje në zona të ndryshme të vendit, pavarësisht përkatësisë etnike të pronarëve.
“Ndërtimet pa leje rrënohen në gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun. Nuk është hera e parë që institucionet ndërhyjnë për të larguar objekte të ndërtuara në kundërshtim me ligjin. Aksione të tilla janë zhvilluar edhe në Batllavë, Rugovë dhe zona të tjera,” u shpreh Islami.
Sipas tij, përpjekjet për ta paraqitur aksionin në Ujman si një veprim të drejtuar kundër komunitetit serb janë të pabazuara dhe nuk përputhen me faktet.
Islami theksoi se në rastin e Ujmanit bëhet fjalë për objekte të ndërtuara në pronë publike të “Ibër-Lepencit”, ndërsa pronarët ishin njoftuar paraprakisht për lirimin e tyre.
“Kur një objekt ndërtohet pa leje në pronë publike, institucionet kanë obligim ligjor të veprojnë. Ligji zbatohet njësoj në çdo pjesë të Kosovës dhe ndaj secilit që e shkel atë,” tha ai.
Eksperti i sigurisë shtoi se narrativat që e paraqesin këtë aksion si një sulm ndaj një komuniteti të caktuar synojnë ta politizojnë një çështje që, sipas tij, është ekskluzivisht ligjore dhe administrative.
Ai bëri thirrje që opinioni publik të informohet nga burime zyrtare dhe të mos bjerë pre e dezinformatave që, sipas tij, synojnë të krijojnë tensione të panevojshme rreth zbatimit të ligjit në veri të vendit.
Ndryshe, të martën mediat serbe si “Sputnik”, “RTS” e “Novosti” kanë dezinformuar lidhur me aksionin në zonën e Ujmanit, duke u munduar ta paraqesin si një veprim të motivuar etnikisht. Por, ishte kryeshefi i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka që bëri të ditur se objekti i aksionit janë ndërtimet e ngritura në parcelat e kësaj ndërmarrjeje.
Ai bëri të ditur të martën për KosovaPress se, 11 personave u ishte kërkuar zyrtarisht të lironin objektet e ndërtuara në pronën e “Ibër-Lepencit”, pasi ato “konsiderohen të ndërtuara pa leje”.
“Ekzekutimi i vendimeve kryhet nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me asistimin e Policisë së Kosovës”, ka bërë të ditur ai.