Çfarë janë “Shelf clouds”? Fenomeni që u pa mbi Kosovë gjatë motit të ashpër dje

Rajone të ndryshme të Kosovës u përballën të hënën dhe të martën me mot të paqëndrueshëm, të shoqëruar nga erëra të forta, reshje intensive shiu dhe breshër, duke shkaktuar dëme në disa zona të vendit. Në fshatra të rajonit të Dukagjinit, breshëri dëmtoi në masë të konsiderueshme kulturat bujqësore, ndërsa në pjesë të tjera të…

Lajme

22/07/2026 11:37

Rajone të ndryshme të Kosovës u përballën të hënën dhe të martën me mot të paqëndrueshëm, të shoqëruar nga erëra të forta, reshje intensive shiu dhe breshër, duke shkaktuar dëme në disa zona të vendit.

Në fshatra të rajonit të Dukagjinit, breshëri dëmtoi në masë të konsiderueshme kulturat bujqësore, ndërsa në pjesë të tjera të Kosovës u raportuan dëmtime në objekte banimi, xhami dhe në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, transmeton lajmi.net.

Mes këtij moti të trazuar, faqja Meteo Ballkan publikoi fotografi të një fenomeni të veçantë atmosferik të vërejtur gjatë së martës në Kosovë – të ashtuquajturat “Shelf clouds”.

Sipas shpjegimit, këto re krijohen kur një masë ajri e ftohtë dhe më e dendur shtyhet me forcë drejt një mase ajri më të ngrohtë. Ky proces ndodh zakonisht gjatë rrymave zbritëse të stuhive, kur ajri i ftohtë zbret me shpejtësi drejt sipërfaqes së tokës dhe përhapet horizontalisht, duke formuar një front me erëra të fuqishme.

Sipas të dhënave të publikuara nga Weatherzone, “Shelf clouds” shoqërohen pothuajse gjithmonë nga një valë ajri të ftohtë dhe të thatë. Zakonisht, era e fortë dhe rënia e temperaturës ndihen përpara se reja të kalojë mbi një zonë, ndërsa reshjet e shiut vijnë më pas.

Megjithëse vetë këto re nuk konsiderohen shkaktare të motit ekstrem, ato janë tregues se në afërsi po zhvillohet një stuhi e fuqishme.

Kur lidhen me sisteme të mëdha stuhish ose me të ashtuquajturat “squall lines”, ato mund të shoqërohen me erëra të forta, reshje të dendura dhe breshër të madh, të cilat mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme./lajmi.net/