Azemi: Punëtorët në Kosovë po i ruan vetëm Zoti

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka vlerësuar se siguria në punë është një nga problemet më prioritare me të cilat duhet të merret e gjithë shoqëria, e në veçanti institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e ligjit dhe të drejtave të punëtorëve. Azemi tha se institucionet…

Lajme

22/07/2026 08:49

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka vlerësuar se siguria në punë është një nga problemet më prioritare me të cilat duhet të merret e gjithë shoqëria, e në veçanti institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e ligjit dhe të drejtave të punëtorëve.

Azemi tha se institucionet nuk janë as për së afërmi aty ku duhet të jenë dhe se, sipas tij, në shumë raste punëtorët “i ruan vetëm Zoti”.

“Mendoj që në njëfarë forme është problemi më prioritar i cili duhet të merret e gjithë shoqëria, e në veçanti institucionet që janë përkatëse për ta mbrojtur të drejtën, ligjin dhe sigurinë në punë të punëtorëve. Po çalojmë dhe nuk jemi as për së afërmi aty ku duhet. Shpeshherë unë kam përcjellë që në këto raste, karshi asaj çka jemi duke vepruar ne, këta punëtorë dinë t’i ruajë vetëm Zoti, përndryshe ne si institucione nuk jemi duke bërë as minimumin e asaj për çka jemi thirrur dhe duhet me bë”, tha Azemi.

Ai fajësoi në radhë të parë pronarët e kompanive, duke thënë se nuk po e vlerësojnë rrezikshmërinë në vendet e punës dhe nuk po ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e punëtorëve.

“Shkaqet kryesore në rend të parë janë, po e themi, pronarët e kompanive nuk janë në nivelin e duhur sepse ata duhet ta vlerësojnë rrezikshmërinë në vendin e punës për punëtorët dhe në momentin kur ata e shohin se ka ndonjë rrezikshmëri, atëherë ata duhet t’i ndërmarrin masat adekuate. Por këta nuk po e vlerësojnë këtë dhe në njëfarë forme nuk po kanë qasje adekuate lidhur me parandalimin e këtyre gjërave, që në veçanti po e themi në rend të parë janë pronarët e kompanive, pastaj institucionet relevante duke u nisur nga Inspektorati i Punës dhe Ministria e Punës”, deklaroi ai.

Sipas Azemit, rreth 90 për qind e punëdhënësve në sektorin privat nuk po e zbatojnë Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

“Absolutisht as për së afërmi! Unë e kam thënë pak më herët që 90% e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës nuk janë duke e respektuar ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë në atë aspektin se vetë pronari i kompanisë nuk po e kërkon këtë. Dhe vetë fakti kur pronari i kompanisë nuk e përcjell sigurinë dhe shëndetin në punë të punëtorit, atëherë i bie që faktori kryesor për këtë ngjarje çka po ndodhë është pronari i kompanisë”, tha Azemi.

Ai kërkoi rritjen e numrit të inspektorëve të punës, specializimin e tyre për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe bashkëpunim mes institucioneve dhe sindikatave për edukimin e punëdhënësve dhe punëtorëve.

“Mendoj që në rend të parë Inspektorati i Punës duhet ta rrisë numrin e inspektorëve në një numër shumë më të madh. Në rend të parë. Në rend të dytë, këta inspektorë duhet të jenë në njëfarë forme të certifikuar, ose duhet të jenë të specializuar për ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë, sepse një inspektor i cili është inspektor i përgjithshëm nuk mund të dijë dhe nuk i din rreziqet e vendit të punës për këta punëtorë. Dhe unë kam paralajmëruar që duhet të jenë mekanizmat, sindikat, Ministria e Punës dhe Inspektorati që ta kemi një grup të përbashkët që dalim të lobojmë dhe në njëfarë forme t’i edukojmë ose edhe t’i trajnojmë shumë pronarë të kompanive së bashku me punëtorë dhe t’ju tregojmë që rrezikshmëria në punë është e barabartë me vdekjen e punëtorëve”, shpreh ai.