Ndaj këtij vendimi ka reaguar ministri i Administratës Publike në vend, Marash Dukaj.
Ai tha se kjo deklaratë nuk i kontribuon të ardhmes evropiane të Malit të Zi.
“Nuk është mirë që këshilltarët komunalë të Plevlës i kanë përvetësuar elemente kushtetuese dhe juridike që nuk u takojnë, ndonëse nuk më pengon që demokracia e mendimit të lirë të shtrihet në të gjitha sferat e shoqërisë – por pa cenuar marrëdhëniet e mira fqinjësore, të cilat janë qëllimi parësor i vendit tonë. Plevla dhe politikanët atje ua kanë borxh qytetarëve të tyre kushte më të mira për një mjedis të shëndetshëm jetese, zhvillim të qëndrueshëm, e jo vendosjen në plan të parë të ideologjive politike partikulariste dhe rajonale, të cilat nuk janë në interes të Malit të Zi të sotëm”, ka shkruar Dukaj në llogarinë e tij në rrjetin social X.
Kujtojmë se kjo është komuna e dytë në Mal të Zi që miraton një dokument të tillë, ndonëse komunat nuk kanë kompetencë kushtetuese për të tërhequr njohjen shtetërore, ndaj këto vendime nuk e ndryshojnë faktin se Mali i Zi vazhdon ta njohë zyrtarisht Kosovën.
Dokumenti është propozuar nga Partia Popullore Demokratike (DNP) e Milan Knezheviqit, e afërt me Beogradin zyrtar, ndërsa i njëjti dokument ishte miratuar më herët edhe nga Kuvendi Komunal i Zetës.
Në dokument, siç ka raportuar “Vijesti”, nuk ka formulim të qartë për “çnjohjen” e Kosovës, as në Zetë dhe as në Plevlë. Megjithatë, thuhet se parlamenti komunal i Plevlës “mbetet i përkushtuar ndaj paprekshmërisë së sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.