Breshëri shkatërron kulturat bujqësore në Istog, Ferati kërkon kompensim urgjent për fermerët

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka bërë të ditur se komisionet komunale kanë dalë në terren për të vlerësuar dëmet, ndërsa ky proces pritet të përfundojë brenda shtatë ditësh kalendarike. “Ditën e nisëm menjëherë duke ndërmarrë masa për dëmet e shkaktuara dje nga reshjet e breshërit. Së bashku me komisionin komunal diskutuam për…

Lajme

21/07/2026 14:48

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka bërë të ditur se komisionet komunale kanë dalë në terren për të vlerësuar dëmet, ndërsa ky proces pritet të përfundojë brenda shtatë ditësh kalendarike.

“Ditën e nisëm menjëherë duke ndërmarrë masa për dëmet e shkaktuara dje nga reshjet e breshërit. Së bashku me komisionin komunal diskutuam për hapat e radhës drejt mbështetjes që mund t’u ofrojmë fermerëve tanë. Si rezultat, komisionet janë në terren që nga mëngjesi i sotëm dhe vlerësimi komunal i dëmeve do të përfundojë në afat rekord prej 7 ditësh kalendarike”, ka shkruar Ferati.

Ai ka thënë se gjatë vizitave në terren, së bashku me ministrin në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, kanë parë nga afër pasojat e breshrit në tokat bujqësore dhe prodhimet që ishin afër vjeljes.

Sipas Feratit, shumë kultura bujqësore janë dëmtuar rëndë, ndërsa disa prodhime që ishin gati për korrje apo vjelje janë shkatërruar pothuajse tërësisht.

Ai ka bërë të ditur se nga ministri Muja ka kërkuar ndërhyrje urgjente për kompensimin e dëmeve, në mënyrë që fermerët e prekur të marrin mbështetjen e nevojshme për tejkalimin e pasojave të shkaktuara nga moti i lig.

“Gjatë vizitave në terren, së bashku me ministrin Armend Muja, pamë nga afër pasojat që breshri kishte lënë në tokat e punuara dhe në frytin që ishte gati për vjelje, por që tashmë ishte shkatërruar pothuajse tërësisht. Nga ministri Muja kërkova që urgjentisht të veprojë në drejtim të kompensimit të dëmeve”, ka shkruar Ferati.

Kryetari i Istogut ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për t’i mbështetur fermerët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. /Lajmi.net/