Haxhiu në Presidencë për tre muaj, shpenzimet e saj dhe kabinetit kapin mbi 12 mijë euro

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kabinetin e saj, kanë shpenzuar 12 mijë e 421 euro e 39 centë gjatë periudhës prej marrjes së detyrës më 4 prill deri më 30 qershor 2026. Të dhënat për këto shpenzime janë dërguar nga Presidenca e Kosovës për lajmi.net, pas kërkesës për…

Lajme

21/07/2026 14:42

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kabinetin e saj, kanë shpenzuar 12 mijë e 421 euro e 39 centë gjatë periudhës prej marrjes së detyrës më 4 prill deri më 30 qershor 2026.

Të dhënat për këto shpenzime janë dërguar nga Presidenca e Kosovës për lajmi.net, pas kërkesës për informim lidhur me shpenzimet zyrtare të institucionit gjatë periudhës së udhëheqjes nga Haxhiu, shkruan lajmi.net.

Sipas pasqyrës së shpenzimeve të publikuar nga Presidenca, shuma prej 12 mijë e 421 euro e 39 centë përfshin shpenzimet e realizuara nga ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kabineti i saj gjatë afro tre muajve të ushtrimit të detyrës.

Nga Presidenca kanë bërë të ditur se publikimi i këtyre të dhënave është bërë me qëllim të informimit të saktë të publikut dhe transparencës për shpenzimet zyrtare.

“Për të shmangur çdo paqartësi, theksojmë se këto janë shpenzimet që i përkasin periudhës nga marrja e detyrës nga u.d. Presidentja Albulena Haxhiu, më 4 prill 2026, deri më 30 qershor 2026”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Ky institucion ka bërë të ditur se është i gatshëm të ofrojë përgjigje për çdo medium apo palë të interesuar për të dhëna dhe sqarime shtesë, duke theksuar se informacioni i marrë drejtpërdrejt nga institucioni mundëson raportim të plotë dhe shmang interpretimet e pasakta.

Ndërkohë, gjatë periudhës janar–qershor 2026, shpenzimet totale të Zyrës së Presidentes së Kosovës, ku përfshihen edhe shpenzimet e ish-presidentes Vjosa Osmani dhe të u.d. presidentes Albulena Haxhiu, kanë arritur në 203 mijë e 133 euro.

Në këtë shumë përfshihen shpenzimet për udhëtime zyrtare, ku mbi 49 mijë euro janë shpenzuar për bileta, rreth 50 mijë euro për dreka dhe darka zyrtare, mbi 43 mijë euro për akomodime gjatë udhëtimeve jashtë vendit, rreth 13 mijë euro për karburante dhe rreth 46 mijë euro për organizime protokollare.

Sa i përket ish-presidentes Vjosa Osmani, sipas raporteve vjetore të shpenzimeve, Zyra e Presidentes gjatë vitit 2025 kishte realizuar shpenzime në vlerë prej 613 mijë eurosh.

Ndërsa gjatë vitit 2024, shpenzimet totale të Zyrës së Presidentes kishin qenë 333 mijë euro, kurse në vitin 2023 ishin regjistruar 303 mijë euro shpenzime. /Lajmi.net/