Rahimaj mbron projektin e grurit në Kamenicë: Toka komunale po shërben për ushqimin e fëmijëve
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se toka komunale e mbjellë me grurë në fshatin Dajkoc ka nisur të japë rezultatet e para, duke theksuar se prodhimi do të përdoret për nevojat e Kuzhinës Popullore të komunës. Përmes një postimi në Facebook, Rahimaj ka bërë të ditur se në sipërfaqen…
Lajme
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se toka komunale e mbjellë me grurë në fshatin Dajkoc ka nisur të japë rezultatet e para, duke theksuar se prodhimi do të përdoret për nevojat e Kuzhinës Popullore të komunës.
Përmes një postimi në Facebook, Rahimaj ka bërë të ditur se në sipërfaqen prej tri hektarësh mbi fshatin Dajkoc është zhvilluar procesi i korrjes së grurit, nga i cili pritet të përfitohet miell që do të shërbejë si lëndë e parë për ushqimin e fëmijëve të komunës.
“Sipërfaqja prej 3 hektarësh mbi fshatin Dajkoc, tokë kjo komunale e mbjellur me grurë, po jep rezultatet e para. Bashkë me drejtorin Shpendin, pamë nga afër procesin e korrjes së grurit, ku do të merret mielli që do të ushqejë fëmijët e komunës sonë”, ka shkruar Rahimaj.
Ai ka thënë se ky projekt përbën një mënyrë të shfrytëzimit të tokës komunale në interes të qytetarëve, duke theksuar se prodhimi do të përdoret për Kuzhinën Popullore të Kamenicës.
“Ky projekt është më shumë se sa një parcelë e mbjellur me grurë. Është dëshmi se toka komunale mund të shfrytëzohet me përgjegjësi për të shërbyer në interes të qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Rahimaj ka theksuar se përmes këtij procesi toka komunale mbillet, prodhimi përpunohet dhe në fund shërben për nevojat e komunitetit.
Reagimi i tij vjen pasi analisti politik Shënoll Muharremi kishte kritikuar më herët përfshirjen e komunave në aktivitete prodhuese, duke thënë se institucionet publike nuk duhet t’u bëjnë konkurrencë fermerëve dhe bizneseve private. /Lajmi.net/