Muharremi kritikon grurin e mbjellë nga Komuna e Kamenicës: Institucionet nuk duhet t’u bëjnë konkurrencë fermerëve
Analisti politik Shenoll Muharremi ka kritikuar vendimin e Komunës së Kamenicës për mbjelljen e grurit, duke thënë se institucionet publike nuk duhet të hyjnë në funksione që i takojnë sektorit privat dhe fermerëve. Përmes një postimi në Facebook, Muharremi tha se në parim një iniciativë e tillë mund të duket si ide e mirë, pasi…
Lajme
Analisti politik Shenoll Muharremi ka kritikuar vendimin e Komunës së Kamenicës për mbjelljen e grurit, duke thënë se institucionet publike nuk duhet të hyjnë në funksione që i takojnë sektorit privat dhe fermerëve.
Përmes një postimi në Facebook, Muharremi tha se në parim një iniciativë e tillë mund të duket si ide e mirë, pasi prodhimi i grurit mund të shërbejë për nevoja të ndryshme publike, por sipas tij ekonomia nuk funksionon në këtë mënyrë.
Ai theksoi se roli i komunave duhet të jetë ofrimi i shërbimeve për qytetarët dhe krijimi i strategjive që ndihmojnë zhvillimin lokal, ndërsa prodhimi dhe aktivitetet ekonomike duhet të mbesin në duart e fermerëve dhe bizneseve private.
“Nuk jemi këtu me kritiku kryetarin atje, se ndoshta ka pas qëllime të mira në parim, mesiguri. Por ekonomia nuk funksionon kështu. Komunat nuk duhet me mbjellë grurë, por duhet me u fokusu me kry shërbime për qytetarët dhe me gjeneru dhe zbatu strategji që e ndihmon zhvillimin lokal”, ka shkruar Muharremi.
Sipas tij, institucionet publike nuk duhet t’u bëjnë konkurrencë fermerëve dhe bizneseve private duke përdorur asetet publike, pasi kjo mund të ndikojë në ekonominë lokale.
“Komuna, nuk duhet me ju bë konkurrencë fermerëve dhe bizneseve me asete publike. Lehtë është me pas tokën tënde, buxhetin e shtetit edhe me ndërmarrë një veprimtari”, ka deklaruar ai.
Muharremi ka vlerësuar se edhe pse në rastin konkret bëhet fjalë për një sasi të vogël prodhimi dhe ndikimi ekonomik mund të jetë i kufizuar, ky rast, sipas tij, shërben si shembull për mënyrën se si nuk duhet të veprojnë institucionet publike.
Ai e ka cilësuar këtë qasje si të ngjashme me modele ekonomike ku shteti përfshihet drejtpërdrejt në prodhim dhe në të gjitha hallkat e ekonomisë, duke thënë se modele të tilla kanë dështuar historikisht.
“Ky model është komunist në esencë, ku shteti mbjellë, prodhon dhe i kryen krejt veprimet, gjithë harkun, vetëm”, ka shkruar ai.
Në fund, analisti ka thënë se sektori publik duhet të mbetet përgjegjës për menaxhimin e pronave dhe krijimin e politikave zhvillimore, ndërsa operimet dhe funksionet ekonomike duhet t’i kryejë sektori privat për të arritur efikasitet më të lartë. /Lajmi.net/