Humbjet ndaj Shqipërisë dhe Sllovakisë alarmojnë basketbollin kosovar, kërkohen ndryshime
Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka mbyllur fazën parakualifikuese për FIBA EuroBasket 2029 me dy humbje ndaj Shqipërisë (82:89) dhe Sllovakisë (86:83), rezultate që kanë ngritur shqetësime për formën e ekipit, organizimin dhe zhvillimin e basketbollit vendor. Duke folur në SportCast, Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka bërë të ditur se…
Sport
Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka mbyllur fazën parakualifikuese për FIBA EuroBasket 2029 me dy humbje ndaj Shqipërisë (82:89) dhe Sllovakisë (86:83), rezultate që kanë ngritur shqetësime për formën e ekipit, organizimin dhe zhvillimin e basketbollit vendor.
Duke folur në SportCast, Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka bërë të ditur se këto rezultate duhet të shërbejnë si sinjal për një proces të ripërtëritjes së Kombëtares.
“Këto dy humbjet e fundit në realitet na kanë hapur dyert dhe na kanë shërbyer si një pikë këndelljeje për të treguar që nuk mund të vazhdojmë tutje me lojtarë të cilët vërtet janë të tabluar e janë cilësorë, por të cilët nuk mund të llogarisin edhe për një kohë të gjatë. Kështu që, ajo çka na pret menjëherë, dhe ky ka qenë edhe një prej vendimeve të djeshme dhe diskutimeve që i kam pasur edhe me selektorin edhe me drejtorin e përfaqësueseve, edhe me kapitenin domethënë, ditëve të fundit kemi folur, kemi për ato që në vërtetë duhet të kemi ripërtëritje. Jemi për aq sa e dhimbshme, se ka qenë vërtet e dhimbshme. Jemi me fat që s’kemi aktivitet edhe një vit me përfaqësuesen tash, deri në korrikun e vitit 2027. Kështu që kemi kohë të mjaftueshme për me i përcjellë këta djem dhe vajza që i kemi nga 16, 17, 18 vjet dhe për ta bërë ripërtëritjen me urgjencën më të madhe”, tha Fetahu.
Ish-basketbollisti dhe ish-trajneri i Trepçës, Naim Hajrizi, vlerëson se problemet e fundit janë pasojë e një qasjeje të gabuar në zhvillimin e basketbollit vendor, duke kritikuar hapësirën e pamjaftueshme që u jepet lojtarëve të rinj kosovarë në klubet vendore.
“Tash, kur e shikon në aspektin e kohës që ekzistojmë si shtet dhe që kemi filluar me e zhvillu basketbollin, ndoshta është një lloj goditjeje. Duke e pasur parasysh se në kohërat më të hershme, sigurisht kemi pasur reputacion më të fortë, me lojtarë cilësorë vendorë, mendoj se këto dy ndeshjet e fundit, këto dy humbjet e fundit, janë rezultat i një politike të gabuar të klubeve, më së pari, dhe sigurisht e përkrahur edhe nga federata. Por klubet gabimet më të mëdha i bëjnë që nuk ua japin mundësinë lojtarëve vendorë. Lojtarët vendorë, sidomos këto gjeneratat e reja, kanë ambicie, kanë vullnet me ushtru dhe me u ngritë, mirëpo kur po vjen puna, pasi e kalojnë moshën 18-vjeçare, mandej po duhet me ndejtë në bankë ose në tribunë me i shiku lojtarët që po natyralizohen ose po luajnë të huajt”, tha Hajrizi.
Sipas tij, klubet kosovare kanë në dispozicion trajnerë me shumë cilësi, por potenciali i tyre duhet të përdoret më shumë për zhvillimin e talenteve të reja.
“Nuk e besoj që klubet mendojnë i bijnë trajnerët ndër më të mirët, ndoshta në rajon, unë i vlerësoj shumë, edhe Adis Beçiragiqin, edhe Rami Hadarin, edhe trajnerët që kanë qenë në Bashkim, të gjithë domethënë kanë kualitet. Mirëpo ata duhet me u shfrytëzu të paktën me punu me gjeneratat jo domosdoshmërisht me krejt gjeneratat, mirëpo të paktën me i nda nja katër-pesë talenta, të cilët duhet me u punu me iu dhënë një angazhim shumë më i madh, që ata me punu profesionalisht dhe me u ngrit cilësia edhe e basketbollit vendor”, u shpreh Hajrizi.
Ish-trajneri i Trepçës paralajmëroi se nëse vazhdohet me këtë model, pasojat mund të ndihen jo vetëm te Kombëtarja, por edhe te klubet kosovare.
Humbjet ndaj Shqipërisë dhe Sllovakisë kanë rikthyer në vëmendje nevojën për një strategji më afatgjatë në basketbollin kosovar, me fokus te zhvillimi i talenteve vendore dhe krijimi i një baze më të qëndrueshme për Kombëtaren.