Breshëri godet Istogun, tetë fshatra me dëme të mëdha

Nënkryetari i Komunës së Istogut, Genc Ademaj, ka bërë të ditur se tetë fshatra janë goditur rëndë nga breshëri, erërat e forta dhe reshjet e dendura, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe ekonomi familjare. Ai tha se më i prekuri është fshati Kovragë, ku rreth 90 për qind e rendimenteve bujqësore janë shkatërruar.…

Lajme

21/07/2026 08:34

Nënkryetari i Komunës së Istogut, Genc Ademaj, ka bërë të ditur se tetë fshatra janë goditur rëndë nga breshëri, erërat e forta dhe reshjet e dendura, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe ekonomi familjare.

Ai tha se më i prekuri është fshati Kovragë, ku rreth 90 për qind e rendimenteve bujqësore janë shkatërruar.

“Fatkeqësisht është prekur zona më bujqësore e komunës së Istogut. Në fshatin Kovragë rreth 90 për qind e rendimenteve janë dëmtuar nga moti i rëndë”, deklaroi Ademaj.

Ai shtoi se dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në zonën e Gurrakocit, ku janë dëmtuar kulturat e misrit, duke rrezikuar furnizimin me ushqim për blegtorinë, ndërsa dëme kanë pësuar edhe plantacionet e mollëve dhe fushat me shalqi.

“Po flasim për tetë fshatra që janë prekur në masë të madhe. Misri është dëmtuar rëndë, ndërsa janë shkatërruar edhe plantacionet e mollëve dhe fushat me shalqi”, tha ai.
Ademaj bëri të ditur se Komuna do të hapë thirrje publike për paraqitjen e dëmeve, ndërsa ekipet e vlerësimit do të dalin në terren për evidentimin zyrtar.

“Deri në fund të javës do t’i kemi vlerësimet konkrete. Gjithashtu, kryeministri dhe ministri i Bujqësisë e kanë konfirmuar vizitën dhe besoj se përkrahja e Qeverisë është më se e domosdoshme për t’u dalë në ndihmë fermerëve tanë”, përfundoi Ademaj.