Mushkolaj: Thirrja e seancës do të shtyhet deri në afatin kushtetues, me logjikën se do të zgjidhet gjithçka
Analisti politik Imer Mushkolaj vlerëson se thirrja e seancës konstituive të Kuvendit pritet të shtyhet deri në afatin e fundit kushtetues, me pritjen se deri atëherë do të ketë zhvillime që do të zhbllokojnë situatën politike, veçanërisht brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Sipas Mushkolajt, zhvillimet e fundit në LDK dhe negociatat e nisura mes…
Lajme
Analisti politik Imer Mushkolaj vlerëson se thirrja e seancës konstituive të Kuvendit pritet të shtyhet deri në afatin e fundit kushtetues, me pritjen se deri atëherë do të ketë zhvillime që do të zhbllokojnë situatën politike, veçanërisht brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Sipas Mushkolajt, zhvillimet e fundit në LDK dhe negociatat e nisura mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë të lidhura ngushtë me procesin e krijimit të institucioneve.
“Seanca konstituive mund të thirret kurdo, por ushtruesja e detyrës së presidentes ka paralajmëruar se do ta thërrasë në gusht. Kjo i bie se do të pritet deri në afatin kushtetues, me logjikën që deri atëherë do të zgjidhet gjithçka që po ndodh brenda LDK-së”, ka deklaruar Mushkolaj.
Ai tha se aktualisht nuk sheh alternativa të tjera për krijimin e institucioneve, pasi PDK-ja ka bërë të ditur se do të mbetet në opozitë, ndërsa Aleanca ka paraqitur kushtet e saj.
“Në fund, gjithçka po sillet rreth mundësisë që institucionet të krijohen me ndihmën e LDK-së. Por pyetja është se me cilën LDK do të negociohet, duke pasur parasysh zhvillimet e brendshme në parti”, tha ai në dukagjin.
Mushkolaj theksoi se vendimet që do të merren në Kuvendin e LDK-së do të ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e formimit të institucioneve.
Ai e cilësoi të drejtë vendimin e Lumir Abdixhikut për t’u tërhequr nga negociatat me Albin Kurtin, duke argumentuar se kryetari i LDK-së nuk mund të zhvillojë bisedime në emër të partisë në një kohë kur përballet me një proces të brendshëm sfidues.
“Nuk mund të shkosh të negociosh në emër të partisë kur ke probleme të mëdha brenda saj, kur janë dorëzuar nënshkrime dhe pritet një Kuvend ku do të votohet besimi ndaj teje. Ka bërë mirë që është tërhequr, përndryshe do të ishte një kokëfortësi politike”, u shpreh Mushkolaj.
Sipas analistit, rezultati i Kuvendit të LDK-së do të jetë përcaktues jo vetëm për të ardhmen e kësaj partie, por edhe për mundësinë e krijimit të institucioneve të reja në Kosovë.