Spitali i Pejës jep detaje nga aksidenti tragjik në Shushicë: Dy viktima dhe katër të lënduar, një fëmijë dërgohet në QKUK

Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa katër të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi sot rreth orës 15:20 në fshatin Shushicë të Istogut. Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, në Shërbimin e Emergjencës fillimisht është pranuar një paciente pa shenja jete, e cila kishte…

Lajme

20/07/2026 21:33

Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa katër të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi sot rreth orës 15:20 në fshatin Shushicë të Istogut.

Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, në Shërbimin e Emergjencës fillimisht është pranuar një paciente pa shenja jete, e cila kishte pësuar politraumë. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të ekipit mjekësor, është konstatuar vdekja e saj.

Rreth orës 16:30, në Emergjencën e Spitalit të Pejës janë pranuar edhe katër persona të tjerë të lënduar nga i njëjti aksident.

Një fëmijë, i cili kishte pësuar lëndime të rënda, përfshirë politraumë, hemorragji intrakraniale dhe frakturë të femurit, është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i intubuar dhe nën përcjelljen e ekipit të Anestezionit, për trajtim të mëtejmë.

Një tjetër paciente është hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë për shkak të frakturës së femurit, ndërsa dy personat e tjerë, pas ekzaminimeve dhe trajtimit mjekësor, janë liruar për trajtim ambulantor pasi kanë pësuar lëndime më të lehta.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, duke i uruar shërim të shpejtë të lënduarve dhe duke vlerësuar punën e ekipeve mjekësore që u përballën me rastin. /Lajmi.net/