13 vendpunishte ndalen në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, Inspektorati zbulon shkelje të rënda

Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë një aksion inspektues në disa vendpunishte në komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës, ku janë evidentuar shkelje të dispozitave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë. Gjatë kontrolleve në terren, inspektorët kanë konstatuar mungesë të masave të nevojshme të sigurisë, të cilat sipas Inspektoratit paraqisnin rrezik serioz për jetën…

Lajme

20/07/2026 19:25

Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë një aksion inspektues në disa vendpunishte në komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës, ku janë evidentuar shkelje të dispozitave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Gjatë kontrolleve në terren, inspektorët kanë konstatuar mungesë të masave të nevojshme të sigurisë, të cilat sipas Inspektoratit paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Për shkak të parregullsive të gjetura, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 13 vendpunishte, deri në përmirësimin e kushteve dhe eliminimin e të gjitha shkeljeve të evidentuara.

“Inspektorati Qendror i Punës, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe sigurisë e shëndetit në punë, ka realizuar inspektime në një numër vendpunishtesh në komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Nga ky institucion kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim që të sigurohet zbatimi i rregullave të sigurisë dhe mbrojtja e punëtorëve në vendet e punës.

Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë obligimet ligjore dhe të krijojnë ambiente të sigurta pune, duke theksuar se mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet. /Lajmi.net/