Ndalohen punimet në një objekt në Fushë Kosovë, Inspektorati konstaton shkelje të sigurisë në punë
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në një subjekt në Fushë Kosovë, pasi gjatë një inspektimi janë evidentuar shkelje të dispozitave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë. Sipas njoftimit të Inspektoratit, veprimet inspektuese janë ndërmarrë menjëherë pas raportimit të rastit, me ç’rast inspektorët kanë zhvilluar kontroll në objektin ku po kryheshin punimet. Gjatë…
Lajme
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në një subjekt në Fushë Kosovë, pasi gjatë një inspektimi janë evidentuar shkelje të dispozitave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, veprimet inspektuese janë ndërmarrë menjëherë pas raportimit të rastit, me ç’rast inspektorët kanë zhvilluar kontroll në objektin ku po kryheshin punimet.
Gjatë inspektimit janë konstatuar parregullsi që, sipas këtij institucioni, paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
“Gjatë inspektimit janë evidentuar shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, të cilat paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Qendror të Punës.
Për shkak të rrezikut të konstatuar, Inspektorati ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në subjektin përkatës, deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe përmbushjen e kërkesave ligjore për krijimin e një ambienti të sigurt pune.
“Punimet do të ndalohen deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara dhe përmbushjen e kërkesave ligjore për një mjedis të sigurt pune”, ka bërë të ditur Inspektorati.
Inspektorati Qendror i Punës ka theksuar se mbetet i përkushtuar në zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe se do të vazhdojë të ndërmarrë masa për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëmarrësve.
Institucioni ka apeluar tek punëdhënësit që të respektojnë rregullat e sigurisë në punë dhe të sigurojnë kushte të përshtatshme për punëtorët. /Lajmi.net/