Skadon afati, Fakulteti në veri të Mitrovicës nuk e liron pronën e Universitetit të Prishtinës
Ka skaduar afati deri kur Fakultetit të Shkencave Teknike në Mitrovicën e Veriut i ishte kërkuar t’I lironte hapësirat e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që sipas këtij institucionit të fundit, i shfrytëzon pa bazë ligjore. Diçka e tillë ishte paraparë të ndodhte deri më 17 korrik. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka…
Lajme
Ka skaduar afati deri kur Fakultetit të Shkencave Teknike në Mitrovicën e Veriut i ishte kërkuar t’I lironte hapësirat e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që sipas këtij institucionit të fundit, i shfrytëzon pa bazë ligjore.
Diçka e tillë ishte paraparë të ndodhte deri më 17 korrik.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka deklaruar për KosovaPress se deri më tani Universiteti nuk ka pranuar asnjë përgjigje zyrtare nga Fakulteti i Shkencave Teknike lidhur me kërkesën për lirimin e objektit. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se para dërgimit të kësaj kërkese nuk është zhvilluar asnjë komunikim apo negociatë me drejtuesit e fakultetit.
I pyetur se cilët do të jenë hapat e radhës nëse objekti nuk lirohet brenda afatit, Hajrullahu tha se Universiteti do të ndjekë procedurat ligjore.
“Rrugët ligjore për kthimin e pronës në posedim përdoren edhe në këtë rast, sikurse edhe në çdo rast tjetër”, ka deklaruar ai.
KosovaPress ka dërguar pyetje edhe te dekanati i Fakultetit të Shkencave Teknike në Mitrovicën e Veriut lidhur me këtë çështje, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje. Sipas njoftimit të fakultetit, institucioni ndodhet në pushim kolektiv deri më 21 gusht.
Universiteti i Prishtinës pohon se Fakultetit në Mitrovicën e Veriut, në periudhën nga 9 shkurti deri më 10 mars 2026 i është dërguar fakultetit kërkesa për lirimin e objektit brenda afatit 30-ditor. Në kërkesë thuhet se Fakulteti duhet ta lirojë vullnetarisht pronën dhe t’ia dorëzojë atë pronarit të ligjshëm, Universitetit të Prishtinës, ose të iniciojë një kërkesë formale për rregullimin e marrëdhënies juridike dypalëshe për shfrytëzimin e objektit, për çka UP ka bërë të ditur se qëndron në dispozicion.
Çështja e pronave të Universitetit të Prishtinës ishte diskutuar edhe më 3 mars 2026 në takimin ndërmjet shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, dhe rektorit Arben Hajrullahu. Sipas njoftimit të UP-së, krahas temës së gjithëpërfshirjes në arsim, u diskutua edhe kthimi i pronave të Universitetit. Me këtë rast, Hajrullahu theksoi se Universiteti i Prishtinës ka vende të rezervuara për komunitetet joshumicë dhe se studentët nga të gjitha komunitetet janë të mirëpritur.
Dy ditë më vonë, më 5 mars 2026, drejtuesit e Universitetit të Prishtinës zhvilluan takim edhe me një delegacion të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku u diskutua kthimi i pronave të uzurpuara të Universitetit. Sipas njoftimit të UP-së, ministrja Fitore Pacolli-Dalipi deklaroi se mbrojtja dhe kthimi i pronave të Universitetit të Prishtinës do të jetë prioritet për institucionin që ajo drejton.