Nesër mbahet seanca për Endrit Llapashticën dhe Dardan Marevcin, të dyshuar për vrasjen e Premtim Gashit – Gjykata u bën thirrje të dorëzohen
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar me objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci. Llapashtica dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paaturizuar të armëve,…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar me objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci.
Llapashtica dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paaturizuar të armëve, ndërsa Darda Marevci dyshohet për veprën penale mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve .
“Sipas propozimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se të njëjtit kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës. Për këtë arsye, përmes këtij njoftimi ju bëhet thirrje të pandehurve të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”, ka njoftuar Gjykata.
Seanca do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë Hajvali, Objekti D, salla numër 27, me datë 21.07.2026, në ora 09:00 nga Kryetarja e Trupit Gjykues, Fatime Dermaku.
Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci janë dy nga nëntë të akuzuarit për vrasjen e Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.
Që nga momenti kur ka ndodhur rasti, Llapashtica dhe Marevci ndodhen në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, rasti ndërlidhet me një përplasje të armatosur mes dy grupeve në lokalin “From”, ku si pasojë mbeti i vrarë Premtim Gashi, dhe disa persona të tjerë u plagosën. Të akuzuarit ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Manipulim me prova”, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me konfliktin e mëhershëm të datës 4 mars 2024, të ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i tani të ndjerit Premtim), i cili e kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve.