Nis regjistrimi i shqiptarëve ortodoks pas “betejës” me kishën serbe
Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës ka fituar procesin gjyqësor ndaj kishës serbe, pasi që kjo e fundit kishte pretenduar se Kisha Ortodokse e Kosovës nuk është legjitime. Ndërkohë, që nga sot e tutje të gjitha besimtarët ortodoks shqiptarë mund të regjistrohen në këtë kishë. Kryepeshkopi i kësaj kishe, Nikolla Xhufka për KosovaPress, tha se ky…
Lajme
Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës ka fituar procesin gjyqësor ndaj kishës serbe, pasi që kjo e fundit kishte pretenduar se Kisha Ortodokse e Kosovës nuk është legjitime. Ndërkohë, që nga sot e tutje të gjitha besimtarët ortodoks shqiptarë mund të regjistrohen në këtë kishë.
Kryepeshkopi i kësaj kishe, Nikolla Xhufka për KosovaPress, tha se ky gjyqimi kishte qëllim legjitimitetin e Kishës Ortodokse Autoqefale e Kosovës.
Sipas tij, kisha serbe e ka kthyer fenë në parti politike, derisa bëri thirrje që shteti i Kosovës të shpallë të padëshirueshëm patriarkun e Serbisë.
“Ky gjyq që është kryer, ka si qëllim legjitimitetin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës. Për mendimin tim, nuk është dashur të bëhet sepse Kushtetuta e thotë mjaft qartë që çdokush ka të drejtë të besojë në atë që dëshiron. Dhe kisha serbe e ka kthyer fenë në parti politike. Ai që është i krishterë, nuk merret me përçarje. Unë, në qoftë se më lejoni, i bëj thirrje edhe shtetit, edhe policisë, ta shpallë të padëshirueshëm patriarkun e Serbisë, sepse ai sa herë vjen në Kosovë thotë: ‘Kosovë është zemra e Serbisë’ dhe kjo është përçarje fetare, etnike, kulturore, shpirtërore e të gjitha”, tha Xhufka.
Ky nuk është procesi gjyqësor i vetëm që po zhvillohet mes dy palëve, është edhe ai për Manastirin e Podujevës ku kisha serbe pretendon që është në pronësi të saj.
Xhufka për këtë tha se këtu duan të dëshmojnë të kundërtën, pasi që ky manastir nuk është në pronësi të Kishës Serbe por që është shqiptare.
“Ne kemi edhe një gjyq tjetër për manastirin e Podujevës dhe tani çështja është në apel, pasi fazën e parë e fituam, tani ngrihet edhe apeli dhe këto shkallët e tjera ligjore…Ai manastir, neve i kemi vërtetuar gjykatës që është manastir shqiptar dhe nuk është në pronësi të Kishës Serbe. Dhe e gjithë lufta, në thonjëza, bëhet për këtë manastir. Pra, jo vetëm për këtë. Unë i kam premtuar shqiptarëve të Kosovës që do themelohet Bashkësia Ortodokse në Kosovë dhe ka një vit e disa muaj që është themeluar. I kam premtuar katedralen, që do bëhet. I kam premtuar që ne do hedhim në gjyq kishën serbe, sigurisht nëpërmjet ligjit, për të rimarrë ato kisha dhe manastire që, në bazë të fakteve historike, kanë qenë shqiptare”, tha kryepeshkopi i kësaj kishe.
Lidhur me këtë, ai tha se të gjitha kishat dhe manastiret shqiptare që janë uzurpuar nga kisha serbe, do të rikthehen në pronësi të tyre.
Në anën tjetër, sot ka nisur edhe regjistrimi i besimtarëve shqiptarë ortodoksë në këtë kishë. Sipas Xhufkas, deri tani ka shumë interesim por që është ditë vikendi, shumë prej këtyre besimtarëve që jetojnë jashtë Prishtinës, e kanë më të vështirë të vijnë dhe bëjnë regjistrimin.
Ai theksoi se regjistrimi i tyre nuk ka një afat të caktuar kohor dhe do të vazhdojë të jetë i hapur, duke potencuar se deri në pasditen e së dielës janë regjistruar 15 besimtarë që jetojnë në Prishtinë.
Madje derisa shpjegonte procedurat e regjistrimit, tregoi që të drejtë regjistrimi kanë vetëm besimtarët ortodoksë shqiptarë.
“Interesim ka shumë. Problemi qëndron tek ardhja deri në Prishtinë. Pra, ka njerëz që jetojnë në Prizren, në Klinë, në… në Prizren, në Klinë, në Pejë. Ka shumë që dëshirojnë të vijnë, por problemi është që nuk vijnë dot. Dhe ky regjistrim nuk fillon sot dhe mbyllet nesër, ose mbas një jave, ose mbas një muaji. Ky regjistrim do vazhdojë të jetë i hapur për të gjithë…Pra, çfarë thotë ky regjistrim? Kushdo nga shqiptarët që jetojnë dhe banojnë në Republikën e Kosovës – ata që ndihen që i përkasin këtij komuniteti, pra Kishës Shqiptare të Kosovës, ata që e dinë që stërgjyshërit e tyre kanë qenë ortodoksë, dhe ata që janë pagëzuar ose duan të pagëzohen e të bashkohen me Krishtin dhe me kishën – ata shkruajnë emrin, mbiemrin, qytetin nga janë, dhe firmën, pra nënshkrimin e tyre. Ortodoks serb nuk ka ardhur askush për t’u regjistruar, sepse ky regjistrim është mjaft i qartë, flet mjaft qartë: do jenë vetëm të regjistruar besimtarët ortodoksë shqiptarë, ose në thonjëza kosovarë. As të Shqipërisë jo….15 veta janë regjistruar deri më tani”, shtoi Xhufka.
Në fund kryepeshkopi i kësaj kishe, Nikolla Xhufka u shpreh optimist se numri i besimtarëve të regjistruar do të rritet gjatë ditëve në vijim.