Konjufca i shkruan Kallasit: BE-ja të dënojë deklaratat e ministres serbe për spastrimin etnik

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka shkruar letër përfaqësueses së lartë të BE-së për Politika të Jashtme, Kaja Kallas, pas deklaratave skandaloze të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, që tha se do të kishte bërë spastrim etnik në Kosovë. Sipas Konjufcës, mbështetja e vlerave evropiane kërkon një përgjigje të…

Lajme

17/07/2026 22:51

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka shkruar letër përfaqësueses së lartë të BE-së për Politika të Jashtme, Kaja Kallas, pas deklaratave skandaloze të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, që tha se do të kishte bërë spastrim etnik në Kosovë.

Sipas Konjufcës, mbështetja e vlerave evropiane kërkon një përgjigje të qartë dhe parimore sa herë që shfaqet retorikë që glorifikon krimet e luftës ose spastrimin etnik, transmeton IndeksOnline.

“Një retorikë e tillë nga një ministre në detyrë nuk mund të trajtohet si një gafë e zakonshme. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke reflektuar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë të minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe të gërryejnë besimin në këtë proces.

Po ashtu, jemi të shqetësuar që reagimi fillestar i Bashkimit Evropian ishte i kufizuar dhe erdhi më shumë se 48 orë pas deklaratës, vetëm pasi çështja u bë temë kryesore në rajon dhe më gjerë. Një reagim publik më i qartë dhe më i fuqishëm është i domosdoshëm për të mbështetur angazhimin e Bashkimit Evropian për parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftimin e revizionizmit historik” shkroi Konjufca në letër.

Ai gjithashtu parashtroi një listë kërkesash drejtuar autoriteteve.

Mes të tjerash, Konjufca kërkoi që BE-ja të lëshojë një dënim të qartë, të fuqishëm dhe publik të deklaratës së ministres, ta ngrejë këtë çështje në mënyrën e duhur në kuadër të dialogut politik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, si dhe në procesin e anëtarësimit, e kështu me radhë.

Tutje, Konjufca kërkoi nga Kallas një bisedë sa më shpejt të jetë e mundur, qoftë përmes telefonit, qoftë përmes një takimi.

Kjo është letra e plotë:

Po ju drejtohem për të shprehur dënimin e fuqishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përkrahjen e hapur dhe të papranueshme publike të spastrimit etnik, të bërë nga znj. Snezana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Republikës së Serbisë.

Më 11 korrik 2026, ministrja Paunoviq deklaroi në një intervistë televizive se, po të kishte qenë në pozitën e Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, ajo “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”. Kjo deklaratë përbën një lavdërim të qëllimshëm të krimeve të luftës, nxitje të urrejtjes dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ajo është thelbësisht e papajtueshme me vlerat evropiane dhe me obligimet politike e ligjore që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të procesit të saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ndonëse kemi marrë parasysh deklaratat e mëvonshme nga Beogradi, me të cilat Qeveria e Serbisë u distancua nga këto komente, ne i konsiderojmë ato më shumë si deklarata formale sesa si shprehje të sinqerta dhe domethënëse pendese. Një retorikë e tillë nga një ministre në detyrë nuk mund të trajtohet si një gafë e zakonshme. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke reflektuar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë të minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe të gërryejnë besimin në këtë proces.

Po ashtu, jemi të shqetësuar që reagimi fillestar i Bashkimit Evropian ishte i kufizuar dhe erdhi më shumë se 48 orë pas deklaratës, vetëm pasi çështja u bë temë kryesore në rajon dhe më gjerë. Një reagim publik më i qartë dhe më i fuqishëm është i domosdoshëm për të mbështetur angazhimin e Bashkimit Evropian për parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftimin e revizionizmit historik.

Republika e Kosovës mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj demokracisë shumetnike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ne e refuzojmë spastrimin etnik dhe ndëshkimin kolektiv në të gjitha format e tyre.

Në dritën e sa më sipër, kërkoj me respekt që Bashkimi Evropian:

1.Të lëshojë një dënim të qartë, të fuqishëm dhe publik të deklaratës së ministres Paunoviq dhe të retorikës revizioniste që ajo përfaqëson.

2.T’ua rikujtojë zyrtarisht autoriteteve të Serbisë se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe të papajtueshme me vlerat evropiane dhe me kërkesat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

3.Ta ngrejë këtë çështje në mënyrën e duhur në kuadër të dialogut politik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, si dhe në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi ta kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian i sheh incidente të tilla.

Do të isha mirënjohës për mundësinë që ta diskutojmë këtë çështje me ju sa më shpejt që të jetë e mundur, qoftë në një takim apo përmes telefonit. Kosova mbetet një partnere e besueshme e Bashkimit Evropian dhe beson se Bashkimi do të reagojë në mënyrë konsekuente, në përputhje me vlerat dhe parimet që synon të mbrojë.

Ju lutem, Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.