Berisha: Shqipëria ta shpall “non grata” ministren e Vuçiqit
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës dhe kërkimfaljes së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, duke e cilësuar atë si një “monstër” dhe duke kërkuar që të shpallet “non grata”. Berisha tha se deklarata e Paunoviqit, e cila kishte deklaruar se po të ishte në…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës dhe kërkimfaljes së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, duke e cilësuar atë si një “monstër” dhe duke kërkuar që të shpallet “non grata”.
Berisha tha se deklarata e Paunoviqit, e cila kishte deklaruar se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, dëshmon se ajo e konsideron gjenocidin si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve ndëretnike.
Sipas tij, reagimet ndërkombëtare ndaj kësaj deklarate kanë qenë të shumta, duke përmendur Komisionin Evropian, Komisioneren për zgjerim Marta Kos, Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, deputetë evropianë dhe figura publike në Serbi.
Berisha kritikoi Qeverinë e Shqipërisë për mungesë reagimi.
“Ndaj kësaj deklarate, me të cilën kjo monstër dëshmonte se për të gjenocidi është mënyra e zgjidhjes së problemeve ndëretnike, reaguan ashpër Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Komisionerja për Zgjerim, Znj. Kos, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, deputetë evropianë, si dhe dhjetëra deputetë e personalitete në Serbi por, natyrisht, jo qeveria e Tiranës”.
Duke komentuar kërkimfaljen e ministres serbe, Berisha tha se ajo e ka “korrigjuar” deklaratën me “cinizëm ekstrem”, pasi sipas tij ka pretenduar se duhej të kishte përdorur termin “deportim” dhe jo “spastrim etnik”.
“Partia Demokratike dënon edhe një herë me forcën më të madhe deklaratat raciste, antishqiptare dhe çnjerëzore të ministres serbe, heshtjen si fija e barit të narkoqeverisë së Tiranës, si dhe përsërit kërkesën për shpalljen e saj “non grata” dhe ngritjen e padisë për nxitje të gjenocidit ndaj saj”, ka deklaruar Berisha.