Kongresisti amerikan, Torres: Deklarata e ministres serbe është përqafim i hapur i gjenocidit ndaj shqiptarëve

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres ka thënë se deklarata e ministres serbe, Snezana Paunovic, për “spastrimin etnik të Kosovës”, është një përqafim i hapur i gjenocidit ndaj shqiptarëve. Torres thotë se deklarata e saj është moralisht e dënueshme, duke i dhënë të drejtë Kosovës për shpalljen e saj “non-grata” dhe duke thënë se Paunovic duhet të…

Lajme

17/07/2026 20:33

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres ka thënë se deklarata e ministres serbe, Snezana Paunovic, për “spastrimin etnik të Kosovës”, është një përqafim i hapur i gjenocidit ndaj shqiptarëve.

Torres thotë se deklarata e saj është moralisht e dënueshme, duke i dhënë të drejtë Kosovës për shpalljen e saj “non-grata” dhe duke thënë se Paunovic duhet të japë dorëheqje menjëherë.

“Deklarata e Snezhana Paunoviqit se ajo do ta kishte kryer spastrimin etnik të Kosovës nëse do të ishte në vendin e Millosheviqit është moralisht e dënueshme dhe një përqafim i hapur i gjenocidit ndaj popullit shqiptar. Kosova kishte të drejtë ta ndalonte hyrjen e saj në vend dhe ajo duhet të japë dorëheqje të menjëhershme nga posti.”, ka thënë Ritchie Torres për Gazetën Express.

Ministrja serbe Snezhana Paunoviq shkaktoi reagime të forta pasi deklaroi në një intervistë televizive se, sikur të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, ajo “do ta spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët”.

Deklarata u dënua gjerësisht nga faktori ndërkombëtar. Britania e Madhe e cilësoi atë “plotësisht të neveritshme”, ndërsa komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, tha se pret që Paunoviq të largohet nga detyra pas deklaratave të tilla. Edhe eurodeputeti gjerman Michael Gahler kërkoi shkarkimin e saj.

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës e kanë shpallur Snezhana Paunoviqin person non grata, duke ia ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës./Lajmi.net/