Haxhiu flet për korrupsion: Si tenderi kur fitohet para se të hapet, si konkursi ku fituesi dihet -humbet besimi i qytetarëve në institucione
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka përmbyllur aktivitetet e “Javës së Agjencisë”, të organizuara nën moton “20 Vjet Transparencë dhe Integritet – Duke Rritur Besimin, Duke Parandaluar Korrupsionin”, ku u vlerësua roli i institucionit në forcimin e integritetit institucional dhe parandalimin e korrupsionit në Kosovë. Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se…
Lajme
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka përmbyllur aktivitetet e “Javës së Agjencisë”, të organizuara nën moton “20 Vjet Transparencë dhe Integritet – Duke Rritur Besimin, Duke Parandaluar Korrupsionin”, ku u vlerësua roli i institucionit në forcimin e integritetit institucional dhe parandalimin e korrupsionit në Kosovë.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se lufta kundër korrupsionit është një proces i vazhdueshëm dhe i domosdoshëm për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit.
“Ndër këto parime, padyshim që janë integriteti, përgjegjësia por edhe barazia para ligjit. Njëzet vjet janë dëshmi e pjekurisë së një institucioni, por kur misioni është mbrojtja e interesit publik, çdo vit është një provë në vete. Sepse korrupsioni nuk pushon kurrë. Ai ndryshon formë, kërkon rrugë të reja dhe përpiqet të depërtojë aty ku institucionet dobësohen dhe ku vigjilenca zbehet. Prandaj, lufta kundër korrupsionit nuk është një betejë që fitohet një herë e përgjithmonë, është një përpjekje e vazhdueshme për ta mbrojtur besimin e qytetarëve tek shteti, pra tek Republika jonë”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se korrupsioni prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe minon besimin në institucionet publike.
“Në raporte dhe statistika, korrupsioni matet me shifra, por qytetarët e njohin ndryshe. Ata e njohin si tenderin që fitohet para se të hapet, si lejen që sigurohet me një telefonatë, si konkursin ku fituesi dihet para se të dorëzohet aplikimi i parë, si derën që hapet për dikë vetëm sepse e njeh dikë në një institucion. Korrupsioni nuk vjedh vetëm paranë publike. Ai vjedh mundësinë, ai e vjedh drejtësinë, e vjedh edhe besimin. Dhe kur qytetarët humbin besimin se ligji vlen njësoj për të gjithë, humbet shumë më tepër sesa një procedurë administrative. Pra, humbet ajo që për ne është shumë e rëndësishme, e që është besimi i qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës, në institucionet e shtetit të vet”, tha ajo.
Haxhiu po ashtu foli edhe për rastet e korrupsionit e ku tha se ka raste kur tenderi fitohet para se të hapet, e leja sigurohet me një telefonatë.
“Si konkursi ku dihet para se të dorëzohet aplikim i parë, e si dera që hapet vetëm se njeh dike në institucion.. Korrupsioni vjedhë drejtësinë e besimin dhe humbet ajo që është shumë e rëndësishme që është besimi i qytetarëve në Republikën e Kosovës”, shtoi Haxhiu./Lajmi.net/