A po bien vetëm “peshqit e vegjël”? Rriten dyshimet se edhe Gramos Hashani ishte në komunikimet për ankandet që favorizuan Noa Energy Trade dhe ETMT Energy
Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) këtë javë suspendoi nga detyra Hasan Kerollin dhe Granit Beqirajn, dy zyrtarët përgjegjës për tregtimin me energji elektrike në këtë ndërmarrje. Ky vendim erdhi vetëm një javë pasi mediumi publikoi një hulumtim disamujor që ngre dyshime serioze për kurdisjen e ankandeve në favor të dy kompanive me rastin e…
Lajme
Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) këtë javë suspendoi nga detyra Hasan Kerollin dhe Granit Beqirajn, dy zyrtarët përgjegjës për tregtimin me energji elektrike në këtë ndërmarrje.
Ky vendim erdhi vetëm një javë pasi mediumi publikoi një hulumtim disamujor që ngre dyshime serioze për kurdisjen e ankandeve në favor të dy kompanive me rastin e shitjes së tepricave të energjisë elektrike.
Megjithatë, dokumentet e brendshme të siguruara nga Buletini Ekonomik tregojnë se procesi i organizimit të këtyre ankandeve nuk ishte i panjohur për menaxhmentin e lartë të kësaj ndërmarrjeje.
Nga komunikimet elektronike që bëheshin rreth ankandeve, shihet se dy zyrtarët e suspenduar, në vazhdimësi e mbanin të informuar për procesin Kryeshefin Ekzekutiv të KEK-ut, Gramos Hashanin, si dhe ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Tregtimit, Eljas Jashari.
Ata janë pothuajse në secilin email në të cilin është diksutuar për ankandet. Përmbajtja e këtyre emaileve ka të bëjë edhe me detaje rreth organizimit të ankandeve dhe ndarjes së sasisë së energjisë që do të tregtohej në bursën shqiptare ALPEX dhe sasisë që do të shkonte për tregtim me tregtarë të energjisë.
Në një përgjigje, KEK u është shmangur pyetjeve rreth përgjegjësisë në këtë proces të Kryeshefit Ekzekutiv dhe Drejtorit të Tregtimit.
Njëri nga të suspenduarit, Hasan Kerolli, i kontaktuar pas suspendimit, i ka thënë mediumit se për tregtimin me energji elektrike ka hierarki në KEK, sipas tij “nga kryeshefi e më poshtë”.
“Nuk është i drejtë vendimi. Ne jemi vetëm zyrtarë të thjeshtë. Për tregtimin në KEK ka hierarki dhe për gjithçka kanë qenë në dijeni, duke filluar nga kryeshefi i ndërmarrjes e më poshtë. Ne vetëm i kemi ekzekutuar vendimet që i ka marrë menaxhmenti”, ka deklaruar Kerolli.
Nga ana tjetër, nga KEK thonë se vendimi është marrë pas shqyrtimit të rrethanave të paraqitura dhe duke u bazuar edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Ky proces ishte audituar edhe nga ZKA.
Sipas KEK-ut, largimi i përkohshëm është bërë në përputhje me Rregulloren mbi Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të ndërmarrjes dhe ka për qëllim zhvillimin e një procedure të rregullt, të paanshme dhe objektive.
“Largimi i përkohshëm nga puna nuk paraqet konstatim përfundimtar të përgjegjësisë dhe nuk paragjykon epilogun e procedurës disiplinore. Çdo konstatim përfundimtar mund të bëhet vetëm pas përmbylljes së procedurave të parapara me rregulloret e brendshme dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.
Mediumi e ka pyetur KEK-un pse këto veprime u ndërmorën vetëm pasi kjo çështje u publikua në media dhe mori vëmendje publike, për më tepër që KEK fillimisht nuk ishte pajtuar me gjetjet e ZKA, duke vënë në dyshim gjetjet e auditorëve të shtetit.
Ligjur me ketë nga KEK thonë se, megjithëse gjatë procesit të auditimit kishte paraqitur komente dhe sqarime për disa nga gjetjet e ZKA-së, sipas tyre kjo “nuk e përjashton të drejtën e menaxhmentit që, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe rrethanave, të iniciojë procedura të brendshme për verifikimin e përgjegjësive eventuale”.
Përndryshe, këto suspendime erdhën vetëm një javë pasi mediumi publikoi një hulumtim disamujor, të bazuar në analizën e rreth 400 ankandeve dhe dokumenteve të brendshme të KEK-ut, që ngriti dyshime serioze për mënyrën e organizimit të ankandeve për shitjen e tepricave të energjisë elektrike.
Hulumtimi dëshmon se një pjesë dërrmuese e ankandeve përfundonin në favor të kompanive Noa Energy Trade dhe ETMT Energy, ndërsa shitja e energjisë bëhej kryesisht jashtë bursës shqiptare ALPEX, ndonëse ZRRE kishte kërkuar vazhdimisht që tepricat të tregtoheshin përmes bursës.
Gjetjet e hulumtimit ngrenë dyshime për kurdisje të ankandeve në favor të kompanive Noa Energy Trade dhe ETMT Energy, si dhe për shmangie të qëllimshme të bursës shqiptare ALPEX.
Përveq përqëndrimit të ankandeve në vetëm dy kompani, hulumtimi shpërfaq me fakte edhe ndërhyrjen e tregtarëve të energjisë në KEK për të pamundësuar funksionalizimin e një platforme elektronike për shitblerjen e energjisë elektrike. Kjo platformë pritej që të pamundësonte ndërhyrjet dhe manipulimet gjatë procesit të organizimit të ankandeve.