Ballkani kualifikohet në raundin e dytë të “Uefa Conference League”, FFK: Dëshmi e qartë e progresit të futbollit të Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka uruar FC Ballkanin pas kualifikimit në raundin e dytë të UEFA Conference League, duke e cilësuar suksesin e klubit suharekas si një tjetër dëshmi të progresit të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare. Në reagimin e saj, FFK vlerësoi paraqitjen e Ballkanit në ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës uellsiane…

Sport

16/07/2026 22:10

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka uruar FC Ballkanin pas kualifikimit në raundin e dytë të UEFA Conference League, duke e cilësuar suksesin e klubit suharekas si një tjetër dëshmi të progresit të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.

Në reagimin e saj, FFK vlerësoi paraqitjen e Ballkanit në ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës uellsiane Connah’s Quay Nomads, ku triumfoi me rezultat 3:2 në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke siguruar avancimin pas barazimit 0:0 në takimin e parë, transmeton lajmi.net.

“Një tjetër mbrëmje e suksesshme për futbollin e Kosovës. FC Ballkani siguroi me meritë kalimin në raundin e dytë të UEFA Conference League”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Federata thekson se, pavarësisht se mysafirët ngushtuan rezultatin në minutat e fundit, Ballkani arriti ta ruajë epërsinë dhe të vazhdojë rrugëtimin evropian.

FFK ka përgëzuar futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe tifozët për këtë sukses, ndërsa ka veçuar edhe faktin se dy klube kosovare, Ballkani dhe Malisheva, kanë siguruar kalimin në raundin e dytë të UEFA Conference League.

Sipas Federatës, kualifikimi i të dyja skuadrave është një tregues i qartë i zhvillimit të futbollit në Kosovë dhe i punës së vazhdueshme që po bëhet në të gjitha nivelet.

Në fund, FFK u ka uruar Ballkanit dhe Malishevës suksese në sfidat e radhës, duke shprehur besimin se do ta përfaqësojnë denjësisht futbollin e Kosovës në garat evropiane./lajmi.net/