45-vjeçari nga Kosova dënohet me 20 vjet burg në Zvicër për vrasjen e ish-partneres

Një shtetas 45-vjeçar nga Kosova është dënuar me 20 vjet burgim nga Gjykata Penale e Veveyt, në kantonin Vaud të Zvicrës, pasi u shpall fajtor për vrasjen e ish-partneres së tij në vitin 2023. Vendimi u mor pasi gjykata vlerësoi se bëhej fjalë për një krim të rëndë, të kryer me dhunë ekstreme dhe me…

Bota

16/07/2026 20:02

Një shtetas 45-vjeçar nga Kosova është dënuar me 20 vjet burgim nga Gjykata Penale e Veveyt, në kantonin Vaud të Zvicrës, pasi u shpall fajtor për vrasjen e ish-partneres së tij në vitin 2023.

Vendimi u mor pasi gjykata vlerësoi se bëhej fjalë për një krim të rëndë, të kryer me dhunë ekstreme dhe me një shkallë të lartë përbuzjeje ndaj viktimës, transmeton lajmi.net.

Ngjarja kishte ndodhur në maj të vitit 2023 në banesën e gruas në Vevey. Viktima, nënë e katër fëmijëve, përfshirë edhe një vajzë që kishte me të dënuarin, kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes së tyre. Sipas gjykatës, 45-vjeçari nuk e kishte pranuar ndarjen dhe e kishte goditur disa herë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen. Pas krimit, ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe më vonë ishte vetëdorëzuar para autoriteteve në Thun.

Gjatë gjykimit, i akuzuari mohoi se e kishte planifikuar vrasjen, duke pretenduar se nuk mbante mend detajet e ngjarjes dhe se kishte reaguar në një moment zemërimi pas një konflikti me ish-partneren.

Megjithatë, gjykata nuk e pranoi këtë mbrojtje. Sipas trupit gjykues, provat tregojnë se ai kishte përgatitur krimin disa ditë më parë dhe se motivi kryesor ishte refuzimi për të pranuar fundin e marrëdhënies dhe humbjen e kontrollit mbi partneren.

Gjykatësit e cilësuan fajësinë e tij si “jashtëzakonisht të rëndë”, ndërsa vrasjen e përshkruan si një akt “të neveritshëm”, duke theksuar se mënyra e kryerjes së krimit dëshmonte për një përbuzje të plotë ndaj viktimës.

Përveç dënimit me 20 vjet burg për vrasje të rëndë, gjykata urdhëroi edhe vendosjen e tij në një institucion të mbyllur për trajtim terapeutik. Sipas vendimit, kjo masë mund të bëjë që ai të qëndrojë në burg edhe pas përfundimit të dënimit, potencialisht përtej vitit 2046.

Nga ana tjetër, gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë për internim të përhershëm, pasi ekspertiza psikiatrike kishte konstatuar se i dënuari kishte përgjegjësi penale pjesërisht të zvogëluar për shkak të një çrregullimi mendor./lajmi.net/