Aksion i përbashkët me autoritetet e SHBA-së, arrestohet një person në Prizren, dyshohet se publikonte të dhëna të kartelave bankare të shtetasve amerikanë

Një person është arrestuar në rajonin e Prizrenit nën dyshimin për përfshirje në një rast të krimit kibernetik, pas një aksioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës…

Lajme

16/07/2026 16:57

Një person është arrestuar në rajonin e Prizrenit nën dyshimin për përfshirje në një rast të krimit kibernetik, pas një aksioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, aksioni është realizuar nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, me urdhër të Gjykatës, gjatë të cilit është kontrolluar një lokacion në rajonin e Prizrenit, transmeton lajmi.net.

Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, dyshohet se kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna personale dhe të kartelave bankare, kryesisht të shtetasve amerikanë.

Sipas hetimeve, ai më pas i kishte vënë këto të dhëna në dispozicion për keqpërdorim duke i publikuar në platforma të caktuara online.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është duke u hetuar më tej.

Gjatë kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar prova që konsiderohen të rëndësishme për procedurën hetimore. Policia dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në koordinim me autoritetet e SHBA-së.

Njoftimi i plotë:

KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA POLICIA E KOSOVËS DHE
PROKURORIA SPECIALE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Prishtinë, 16 Korrik 2026
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës me ç’rast është zhvilluar kontroll në një lokacion në rajonin e Prizrenit. Ky rast është hetuar në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së.
Personi i dyshuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka arritur që të siguroj në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare si dhe personale, kryesisht të shtetasve nga ShBA-të, pastaj këto të dhëna i ka vënë në dispozicion për qëllime keqpërdorimi duke i vendosur në platforma të caktuara online.
I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë. Rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor. Gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së. Gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe prova relevante për rastin./lajmi.net/