SHBA kufizon vlefshmërinë e vizave për studentët, gazetarët dhe programet e shkëmbimit
Administrata e presidentit Donald Trump ka miratuar një rregullore të re që ndryshon mënyrën e vlefshmërisë së vizave për studentët e huaj, pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit kulturor dhe gazetarët ndërkombëtarë, si pjesë e politikës së saj për forcimin e kontrollit ndaj emigracionit. Sipas rregullores përfundimtare të publikuar nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS),…
Bota
Administrata e presidentit Donald Trump ka miratuar një rregullore të re që ndryshon mënyrën e vlefshmërisë së vizave për studentët e huaj, pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit kulturor dhe gazetarët ndërkombëtarë, si pjesë e politikës së saj për forcimin e kontrollit ndaj emigracionit.
Sipas rregullores përfundimtare të publikuar nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS), vizat F, J dhe I nuk do të jenë më të vlefshme për gjithë periudhën e studimeve, programit apo angazhimit profesional në SHBA. Në vend të kësaj, ato do të kenë një afat të përcaktuar vlefshmërie, transmeton lajmi.net.
Rregullorja pritet të hyjë në fuqi 60 ditë pas publikimit në Regjistrin Federal, me kusht që të përfundojë procesin e shqyrtimit në Kongres.
Sipas dispozitave të reja, vizat për studentët dhe pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit do të kenë një afat maksimal prej katër vitesh. Ndërkohë, vizat për gazetarët e huaj do të kufizohen në 240 ditë, ndërsa për shtetasit kinezë vlefshmëria do të jetë 90 ditë, raportoi Reuters.
Autoritetet amerikane sqarojnë se mbajtësit e këtyre vizave do të kenë mundësi të kërkojnë zgjatjen e qëndrimit përmes një aplikimi pranë DHS, nëse dëshirojnë të vazhdojnë qëndrimin në SHBA edhe pas skadimit të afatit.
Sipas DHS, ndryshimet janë ndërmarrë për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve që hyjnë në SHBA me këto kategori vizash, çka, sipas institucionit, ka vështirësuar monitorimin e statusit të tyre gjatë qëndrimit në vend.
Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2024 u regjistruan mbi 1.8 milionë hyrje me viza studentore, rreth 11 për qind më shumë se një vit më parë. Po ashtu, gjatë të njëjtit vit fiskal, SHBA lëshoi mbi 500 mijë viza për pjesëmarrës në programe shkëmbimi dhe rreth 37.300 viza për gazetarë të huaj.
DHS thekson gjithashtu se janë identifikuar raste kur studentë dhe pjesëmarrës në programe shkëmbimi kanë qëndruar në SHBA për periudha shumë të gjata me të njëjtin status, duke argumentuar se rregullorja e re synon të forcojë mbikëqyrjen dhe administrimin e këtyre kategorive të vizitorëve./lajmi.net/