​Karabinierët shtojnë aftësitë e tyre për shpëtimin e jetës në raste emergjente, gjithandej Kosovës

Karabinierët italianë të caktuar në atë që njihet si Njësia e Specializuar Shumëkombëshe (MSU), në kuadër të KFOR-it, kanë përfunduar një trajnim bazë për mbështetjen jetësore dhe përdorimin e defibrilatorit (BLSD) në kampin e tyre në Prishtinë. Trajnimi u zhvillua nga instruktorë të certifikuar të Qendrës së Trajnimit (për BLSD) të Departamentit të Shëndetësisë dhe…

Lajme

16/07/2026 15:32

Karabinierët italianë të caktuar në atë që njihet si Njësia e Specializuar Shumëkombëshe (MSU), në kuadër të KFOR-it, kanë përfunduar një trajnim bazë për mbështetjen jetësore dhe përdorimin e defibrilatorit (BLSD) në kampin e tyre në Prishtinë.

Trajnimi u zhvillua nga instruktorë të certifikuar të Qendrës së Trajnimit (për BLSD) të Departamentit të Shëndetësisë dhe Veterinarisë të Komandës së Përgjithshme të Karabinierëve italianë.

Përmes këtij kursi, pjesëmarrësit përmirësuan aftësitë e tyre për t’iu përgjigjur rasteve të arrestit kardiak dhe bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes, duke zbatuar procedura shpëtuese si reanimimi kardiopulmonar (CPR) dhe përdorimi i defibrilatorëve të jashtëm automatikë (AED), njoftoi KFOR, të enjten, përcjellë KosovaPress.

Sipas misionit të NATO-s, ky trajnim ndihmon në ruajtjen e një niveli të lartë gatishmërie të personelit të MSU-së, i cili gjatë patrullimeve të përditshme në Kosovë mban me vete defibrilatorë të jashtëm automatikë për të ofruar ndihmë të menjëhershme në raste emergjente.

KFOR thekson se aftësitë e fituara forcojnë më tej kapacitetet e misionit për reagim ndaj emergjencave, në mbështetje të përpjekjeve për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, në mënyrë transparente dhe të paanshme.