Avokati Bajraktari për deklaratën e Paunoviqit: Mendësi e Millosheviqit për të cilën do të ketë përgjegjësi ligjore

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar pas deklaratave të ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik të Kosovës”. Në një prononcim për lajmi.net, Bajraktari e ka cilësuar deklaratën e ministres serbe si skandaloze, duke thënë se një gjuhë e tillë nuk kontribuon në paqe dhe pajtim, por nxit…

Lajme

17/07/2026 22:15

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar pas deklaratave të ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik të Kosovës”.

Në një prononcim për lajmi.net, Bajraktari e ka cilësuar deklaratën e ministres serbe si skandaloze, duke thënë se një gjuhë e tillë nuk kontribuon në paqe dhe pajtim, por nxit ndarje e urrejtje.

“Një deklaratë e tillë është skandaloze dhe, para së gjithash, shfaq një mendësi totalitare, që buron nga mbetjet e ideologjisë së Millosheviqit. Është një gjuhë e papranueshme, që nuk kontribuon në paqe, por nxit urrejtje dhe thellon ndarjet”, ka deklaruar Bajraktari.

Ai ka theksuar se deklaratat e tilla, kur vijnë nga zyrtarë të lartë shtetërorë, bartin përgjegjësi të veçantë politike dhe institucionale, duke përmendur edhe mundësinë e përgjegjësisë ligjore.

“Kur deklarata të tilla bëhen nga zyrtarë të lartë shtetërorë, ato bartin përgjegjësi të veçantë politike dhe institucionale, duke mos përjashtuar edhe përgjegjësi ligjore përkatësisht penale, por një gjë e tillë, bazuar në rrethanat, e pamundur të ndodhë”, ka thënë ai.

Bajraktari ka kërkuar gjithashtu reagim nga Bashkimi Evropian dhe ka bërë thirrje që Beogradi zyrtar të distancohet nga deklaratat që lidhen me narrativat e spastrimit etnik.

“Pres një reagim të qartë të Bashkimit Evropian dhe kërkesë ndaj Beogradit zyrtar që të distancohet nga kjo gjuhë dhe nga kjo qasje. Madje nuk duhet dënuar vetëm kjo deklaratë, por edhe mendësia që e prodhon, sepse narrativat që lidhen me spastrimin etnik nuk duhet me pasë vend në Evropën e shekullit XXI”, ka deklaruar Bajraktari.

Reagimi i avokatit vjen pasi ministrja serbe Snezhana Paunoviq kërkoi falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, pas reagimeve të shumta ndaj deklaratës së saj për “spastrimin etnik të Kosovës”.

Paunoviq ka pretenduar se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit, duke thënë se nga intervista ishte marrë vetëm një pjesë e shkurtër prej shtatë sekondash, e cila sipas saj ishte shndërruar në çështje politike.

Ndryshe dje ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, për shkak të deklaratave të saj lidhur me spastrimin etnik të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla tha se Republika e Kosovës “nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit”.

Ajo tha se nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit dhe krimeve të kryera nga regjimi serb në Kosovë.

Sipas Gërvallës, kallëzimi penal është dorëzuar pas deklaratës që ministrja serbe Snezhana Paunoviq e ka dhënë më 12 korrik 2026 gjatë një interviste për emisionin “Neisprićano”. Sipas ministres në detyrë të Drejtësisë, Paunoviq ka deklaruar: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviçi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.”

Gërvalla e cilësoi këtë deklaratë si të papranueshme dhe tha se deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike.“Për këtë arsye, në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”- ka shkruar Gërvalla.

Vendimi vjen pasi Paunoviq, e njohur për qëndrimet e saj kundër Kosovës, deklaroi se po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Në arsyetimin e Ministrisë thuhet se Paunoviq përmes deklaratave të saj publike në mënyrë të vazhdueshme ka shfaqur qëndrime që synojnë të cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se Paunoviq ka rikonfirmuar se Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë nga projekti i spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.

Sipas Sveçlës, një politikë e tillë ishte tentuar edhe nga ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, të cilin ai e cilësoi si “kasapi i Ballkanit”.“Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë dem.– ka shkruar Sveçla.

Ai shtoi se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale.

Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, nuk ka parapëlqyer të komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë gjuhën e ministres serbe.

Megjithatë, në mënyrë të përgjithësuar ajo ka deklaruar se në Europë nuk ka vend për një retorikë që arsyeton apo bën thirrje për spastrim etnik.Hipper tha se deklarata të tilla ndeshen me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.Megjithatë, ajo nuk paralajmëroi ndonjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë, por vetëm përsëriti se nuk ka vend për një retorikë të tillë.

Paunoviq ka deklaruar se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta pastronte etnikisht Kosovën.“Po të kisha qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998 do ta pastroja etnikisht Kosovën. Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që e kam thënë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si po duan ata të na likuidojnë neve, por në atë mënyrë që të mos ndihen pjesë e Serbisë dhe të shkojnë në shtetin e tyre amë”- ka thënë ajo gjatë një interviste në televizionin serb “Kurir”./Lajmi.net/