Kryeziu: Arsyetimi për moskonstituimin e Kuvendit është qesharak dhe i papërgjegjshëm

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka kritikuar ashpër vonesën në thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, duke e cilësuar të pajustifikueshëm arsyetimin se partive politike duhet t’u lihet më shumë kohë për negociata. Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu tha se moskonstituimi i Kuvendit nuk mund të justifikohet me nevojën…

Lajme

16/07/2026 13:08

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka kritikuar ashpër vonesën në thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, duke e cilësuar të pajustifikueshëm arsyetimin se partive politike duhet t’u lihet më shumë kohë për negociata.

Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu tha se moskonstituimi i Kuvendit nuk mund të justifikohet me nevojën për vazhdimin e bisedimeve politike, pasi sipas tij, partitë kanë pasur kohë të mjaftueshme për të negociuar dhe mund ta bëjnë këtë edhe pas konstituimit të legjislativit.

“Mosthirrja e seancës konstituive të Kuvendit dhe arsyetimi i presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, se partive politike duhet t’u lihet edhe më shumë kohë për negociata është sa qesharak, aq edhe i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka theksuar se vendi tash e afro dy vjet po funksionon me institucione në detyrë dhe me zgjidhje të përkohshme, duke pyetur se sa kohë tjetër u duhet partive politike për të arritur qoftë edhe një marrëveshje minimale.

“Nuk mund të mbahet peng përmbushja e një detyrimi kushtetues me arsyetimin se duhen edhe më shumë bisedime. Ndërkohë, vendi vazhdon, prej afro dy vitesh, të funksionojë me institucione në detyrë dhe me zgjidhje të improvizuara. Nëse gati dy vjet, së bashku me tri palë zgjedhje të mbajtura, nuk po mjaftojnë për të arritur qoftë edhe një marrëveshje minimale, sa kohë tjetër u duhet? Dhe me çfarë arsyetimi?”, ka deklaruar ai.

Kryeziu ka drejtuar kritika edhe ndaj partive opozitare, për të cilat tha se deri më tani nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret dhe as nuk kanë bërë ndonjë kërkesë publike për konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit.

Sipas tij, paaftësia e spektrit politik për të tejkaluar interesat partiake po krijon perceptimin se klasa aktuale politike nuk ka kapacitetin dhe përgjegjësinë për të ndërtuar dhe funksionalizuar institucionet demokratike.

“Shkalla e zhvillimit demokratik nuk matet vetëm me organizimin e zgjedhjeve, por edhe me aftësinë për ta shndërruar vullnetin e qytetarëve në institucione funksionale, efektive dhe llogaridhënëse”, ka përfunduar Kryeziu. /Lajmi.net/