Ministria e Mbrojtjes anulon tenderin për mirëmbajtjen e autobusëve të FSK-së – Këto janë arsyet

Ministria e Mbrojtjes ka anuluar tenderin për mirëmbajtjen e autobusëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky tender, ishte parashikuar nga Ministria që të kushtoj 66 mijë euro, shkruan lajmi.net. Për këtë tender, sipas Ministrisë ka ofertuar vetëm një kompani “Hamdi Rrahmani B.I”, me çmim 38 mijë e 16 euro, e që nga Ministria e…

Lajme

16/07/2026 10:02

Ministria e Mbrojtjes ka anuluar tenderin për mirëmbajtjen e autobusëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ky tender, ishte parashikuar nga Ministria që të kushtoj 66 mijë euro, shkruan lajmi.net.

Për këtë tender, sipas Ministrisë ka ofertuar vetëm një kompani “Hamdi Rrahmani B.I”, me çmim 38 mijë e 16 euro, e që nga Ministria e Mbrojtjes e kanë konsideruar ofertë të papërgjegjshme.

Ministria e Mbrojtjes në letrën e dërguar kompanisë që ka ofertuar por nuk i kanë dhënë tenderin, ia kanë treguar arsyen.

Ata kanë thënë se për stafin autoelektricist dhe automekanik, diplomat e dorëzuara kanë thënë se nuk janë të vulosura dhe nuk janë të nënshkruara nga institucioni kompetent që i ka lëshuar.

Gjithashtu, ata kanë thënë se kanë bërë analiza dhe krahasim të çmimeve për njësi të ofruara nga Operatori Ekonomik me çmimet referente të përcaktuara nga Autoriteti Kontraktues, dhe nga analiza është konstatuar se në një numër të konsiderueshëm të pozicioneve çmimet e ofruara tejkalojnë ndjeshëm çmimet referente të tregut, ndërsa në shumë raste me mbi 100%, 200% dhe 300% si dhe në disa pozicione ka çmime anormalisht të ulëta në raport me vlerat referente të tregut.

Ata kanë thënë se çmimet e ofruara nuk janë në përputhje me nivelin e çmimeve të konstatuara në treg dhe se lidhja e kontratës mbi bazën e këtyre çmimeve do të rezultonte në shpenzim më të lartë të mjeteve publike pa u arsyetuar nga kushtet e tregut.

Gjendja e rëndë e autobusëve të FSK-së është raportuar edhe në media, me video e fotografi ku shiheshin se janë shumë të dëmtuar dhe pa mirëmbajtje. /Lajmi.net/