Ilir Ferati demanton raportimet se Kurti e Abdixhiku janë marrë vesh në parim për formimin e institucioneve

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ilir Ferati, ka mohuar raportimet për një marrëveshje në parim mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e institucioneve. Në një deklaratë për Gazetën Express, Ferati tha se aktualisht fokusi i partisë është te procedurat statutare që lidhen me iniciativën për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm. “Sot janë…

Lajme

15/07/2026 19:39

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ilir Ferati, ka mohuar raportimet për një marrëveshje në parim mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e institucioneve.

Në një deklaratë për Gazetën Express, Ferati tha se aktualisht fokusi i partisë është te procedurat statutare që lidhen me iniciativën për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.

“Sot janë pranuar nënshkrimet dhe si sekretariat po merren me verifikimin preliminar të nënshkrimeve dhe me të gjitha procedurat tjera statutare për përgatitjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar ai.

Ferati ka hedhur poshtë edhe raportimet për një marrëveshje të mundshme mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për bashkëqeverisje.

“Nuk e kam asnjë informacion nga kryetari Abdixhiku lidhur me raportimet në media, ani pse gjithë ditën kemi qenë në seli bashkë me bashkëpunëtorët”, është shprehur Ferati.

Deklarata e tij vjen në kohën kur në opinion kanë qarkulluar raportime për një marrëveshje të mundshme ndërmjet dy partive, ndërsa brenda LDK-së po zhvillohen procedurat lidhur me nismën për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.