Kurti inauguron punimet për Parkun Solar në Rahovec, projekti do të ketë kapacitet prej 105 megavatësh
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në inaugurimin e punimeve për ndërtimin e Parkut Solar Fotovoltaik në fshatin Kramovik të Rahovecit, një projekt energjetik me kapacitet prej 105 megavatësh. Gjatë ceremonisë, Kurti e cilësoi ankandin e organizuar nga Ministria e Ekonomisë si një model të suksesshëm dhe transparent, duke theksuar se çmimi prej…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në inaugurimin e punimeve për ndërtimin e Parkut Solar Fotovoltaik në fshatin Kramovik të Rahovecit, një projekt energjetik me kapacitet prej 105 megavatësh.
Gjatë ceremonisë, Kurti e cilësoi ankandin e organizuar nga Ministria e Ekonomisë si një model të suksesshëm dhe transparent, duke theksuar se çmimi prej 48.88 euro për megavat-orë është rezultat i konkurrencës mes pesë ofertuesve.
“Kapaciteti tregon madhësinë e projektit dhe rëndësinë e tij për sistemin tonë energjetik. Mënyra e përzgjedhjes dhe çmimi konkurrues tregojnë kthesën që qeverisja jonë ka sjellë në projektet e mëdha të energjisë: transparencë e plotë, ku secili ka qasje në gjithë dokumentacionin, investitorët informohen njësoj dhe të gjithë konkurrojnë në kushte të barabarta e të qarta”, tha Kurti.
Ai theksoi se projekti ka rëndësi të veçantë edhe për mërgatën, pasi kompania udhëheqëse e konsorciumit fitues, Orllati Group, është zhvilluar në Zvicër.
Kurti foli edhe për projektet e tjera në sektorin energjetik, duke bërë të ditur se ankandi i radhës për ndërtimin e kapaciteteve deri në 100 megavatë nga energjia e erës ndodhet në fazën përfundimtare të ofertimit, ndërsa në garë janë kompani nga Franca, Gjermania, Kosova dhe Turqia.
Ai përmendi gjithashtu se Parku i Erës në Zatriq, me kapacitet prej 70 megavatësh, është pranë përfundimit, ndërsa është në proces edhe tenderimi për një park solar prej 100 megavatësh nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me mbështetjen e Bankës Zhvillimore Gjermane (KfW).
Sipas Kurtit, strategjia e qeverisë synon rritjen e sigurisë së furnizimit me energji përmes shtimit të prodhimit vendor, modernizimit të kapaciteteve ekzistuese, zhvillimit të energjisë së ripërtërishme, investimeve në rrjet dhe bateri, si dhe integrimit të tregut energjetik me Shqipërinë dhe Evropën.
Ai shtoi se po shqyrtohen edhe mundësitë për përdorimin e gazit të lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në Termocentralin e Vlorës. /Lajmi.net/