Arben Gashi kërkon reflektim në LDK: Pas tri zgjedhjeve, elektorati ka dhënë një mesazh të qartë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se kërkesa për mbledhjen e Kuvendit të partisë dhe ngritjen e çështjes së votëbesimit përbën një ushtrim të demokracisë së brendshme dhe të përgjegjësisë politike. Përmes një postimi, Gashi ka vlerësuar se rezultatet e tri proceseve të fundit zgjedhore kanë dërguar një mesazh të…

Lajme

15/07/2026 17:54

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se kërkesa për mbledhjen e Kuvendit të partisë dhe ngritjen e çështjes së votëbesimit përbën një ushtrim të demokracisë së brendshme dhe të përgjegjësisë politike.

Përmes një postimi, Gashi ka vlerësuar se rezultatet e tri proceseve të fundit zgjedhore kanë dërguar një mesazh të qartë nga elektorati, duke theksuar se LDK-ja ka nevojë për reflektim, vendimmarrje dhe një vizion të ri për t’u rikthyer si forcë udhëheqëse në vend.

“Pas tri proceseve zgjedhore, mesazhi i elektoratit është i qartë: LDK ka nevojë për reflektim, vendimmarrje dhe vizion për rikthimin e saj si forcë udhëheqëse në Kosovë”, ka shkruar ai.

Gashi ka theksuar se nisma për votëbesim nuk duhet parë si përballje me një individ, por si një përpjekje për të ngritur standardet politike brenda partisë.

“Kjo nuk është betejë kundër një individi, por kërkesë për një standard më të lartë politik, për llogaridhënie dhe për një LDK më të fortë. Kuvendi është vendi ku vendos demokracia. Aty duhet të përcaktohet drejtimi i LDK-së, me guxim, përgjegjësi dhe vizion”, ka shtuar ai.

Në fund, Gashi ka bërë thirrje për një LDK që, sipas tij, “bashkon, udhëheq dhe fiton përsëri”. /Lajmi.net/