Qeveria në detyrë miraton emërimin e drejtorit të ASHI-së dhe disa vendime për shpronësim në Gjakovë

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur të martën mbrëma një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime. Në kuadër të mbledhjes, Qeveria ka emëruar Ragmi Dalipin në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), transmeton lajmi.net. Po ashtu, është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësimin, në…

Lajme

15/07/2026 15:16

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur të martën mbrëma një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime.

Në kuadër të mbledhjes, Qeveria ka emëruar Ragmi Dalipin në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), transmeton lajmi.net.

Po ashtu, është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësimin, në interes publik, të pronave të paluajtshme ish-shoqërore që menaxhohen dhe administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Këto prona do të shfrytëzohen për realizimin e dy projekteve të Komunës së Gjakovës: administrimin e objektit të ish-“Bankos”-it për nevojat e administratës komunale në zonën Gjakovë-Qytet dhe ndërtimin e një fushe futbolli me hapësira rekreative në fshatin Trakaniq, në shërbim edhe të fshatrave përreth.

Në mbledhjen elektronike është miratuar edhe ndryshimi dhe plotësimi i Vendimit të Qeverisë nr. 11/08, të datës 3 prill 2026, për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme.

Sipas ndryshimit të miratuar, Besnike Mehmeti nga Zyra e Kryeministrit emërohet zëvendësuese e anëtarit të komisionit, duke zëvendësuar Ervina Gashin.

Postimi i plotë:

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka:

  •  Miratuar vendimin për emërimin e z. Ragmi Dalipi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
  • Miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara dhe të administruara nga AKP-ja, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të mëposhtme të Komunës së Gjakovës:
  1. Administrimi i objektit të ish-“Bankos”-it për nevoja të administratës së Komunës së Gjakovës, Zona Gjakovë-Qytet, dhe
  2. Ndërtimi i Fushës së Futbollit dhe hapësirave rekreative për fshatin Trakaniq dhe fshatrat rreth zonës Trakaniq, Zona Kadastrale Trakaniq.
  • Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 11\08 të datës 03.04.2026 për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e  zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme, sipas të cilit znj. Ervina Gashi, nga Zyra e Kryeministrit, zëvendësuese e anëtarit, zëvendësohet nga znj. Besnike Mehmeti, nga Zyra e Kryeministrit, zëvendësuese e anëtarit. /lajmi.net/