Helmimi në Han të Elezit, policia nis hetimet ndaj dy lokaleve për artikuj të dëmshëm ushqimorë
Rasti i dyshuar i helmimit në Han të Elezit ka marrë një zhvillim të ri, pasi Policia e Kosovës ka iniciuar hetim në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, pas paraqitjes së dhjetëra qytetarëve me simptoma të njëjta në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka…
Lajme
Rasti i dyshuar i helmimit në Han të Elezit ka marrë një zhvillim të ri, pasi Policia e Kosovës ka iniciuar hetim në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, pas paraqitjes së dhjetëra qytetarëve me simptoma të njëjta në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për lajmi.net, se Njësia e Hetimeve në Han të Elezit ka kontaktuar prokurorin e shtetit dhe me urdhër të tij është iniciuar rasti me dyshimin për veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, shkruan lajmi.net.
“Lidhur me rastin e raportuar, ju njoftojmë se sot, rreth orës 13:40, Njësia e Hetimeve në Han të Elezit ka kontaktuar prokurorin e shtetit dhe me urdhër të tij është iniciuar rasti për hetim ‘Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë’”, ka deklaruar Veseli.
Ai ka bërë të ditur se në kuadër të veprimeve hetimore do të intervistohen dy pronarë të dy lokaleve në qytetin e Hanit të Elezit.
“Si rrjedhojë do të intervistohen dy pronarë të dy lokaleve në qytetin e Hanit të Elezit, në funksion të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë zëdhënësi i policisë.
Sipas tij, Policia e Kosovës, në koordinim me prokurorin e shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.
Ndërkohë, rasti ka shkaktuar shqetësim në Han të Elezit, pasi një numër i madh qytetarësh janë paraqitur për trajtim në QKMF me simptoma të dyshuara. Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë ka bërë të ditur se numri i të paraqiturve ka arritur në 90, duke sqaruar se shumica dyshohet se janë prekur nga ushqimi, ndërsa disa raste mund të lidhen edhe me një virus.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse rastet kanë ndërlidhje me konsumimin e ushqimit në lokalet e përfolura dhe cilat kanë qenë rrethanat që kanë çuar në këtë situatë. /Lajmi.net/