GLPS: Gati dy vite krizë institucionale janë alarm për demokracinë, partitë të formojnë sa më parë institucionet

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka bërë thirrje ndaj të gjitha partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë kushtetuese dhe politike për tejkalimin e bllokadës institucionale, duke vlerësuar se kriza e zgjatur po dëmton funksionimin demokratik të vendit dhe interesat e qytetarëve. Përmes një komunikate, GLPS thekson se Kosova po përballet me pasojat e…

Lajme

15/07/2026 14:01

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka bërë thirrje ndaj të gjitha partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë kushtetuese dhe politike për tejkalimin e bllokadës institucionale, duke vlerësuar se kriza e zgjatur po dëmton funksionimin demokratik të vendit dhe interesat e qytetarëve.

Përmes një komunikate, GLPS thekson se Kosova po përballet me pasojat e një sistemi politik që, sipas tyre, për gati dy vjet nuk ka arritur të prodhojë stabilitet institucional.

Sipas organizatës, përgjegjësia kryesore për tejkalimin e krizës bie mbi subjektin fitues të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila, përveç legjitimitetit elektoral, ka edhe obligim politik e kushtetues që të ndërmarrë hapa konkretë për formimin e institucioneve. Megjithatë, GLPS thekson se edhe partitë e tjera parlamentare mbajnë përgjegjësi të barabartë për zhbllokimin e situatës.

GLPS u bën thirrje partive që, pa vonesë, të mundësojnë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, duke nënvizuar se këto nuk janë çështje negociatash të pafundme politike, por obligime që burojnë nga Kushtetuta dhe vullneti i qytetarëve.

Po ashtu, organizata kërkon që partitë të nisin sa më herët dialogun edhe për zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar se mungesa e konsensusit për këtë proces mund ta rikthejë vendin në një tjetër bllokadë institucionale, edhe nëse formohen Kuvendi dhe Qeveria.

Në komunikatë thuhet se pasojat e krizës tashmë janë të dukshme në shumë sektorë. Sipas GLPS-së, procesi legjislativ ka mbetur i bllokuar, ndërsa reformat në administratë publike, drejtësi, ekonomi, energji, shëndetësi dhe arsim janë ngadalësuar ose kanë mbetur pezull.

Organizata vlerëson se bllokada institucionale ka ndikuar edhe në ekonomi, duke krijuar pasiguri për investitorët dhe duke ngadalësuar zbatimin e politikave zhvillimore, në një kohë kur qytetarët po përballen me rritjen e kostos së jetesës, papunësinë dhe emigrimin.

GLPS paralajmëron gjithashtu se kriza po dëmton pozitën ndërkombëtare të Kosovës, duke theksuar se një shtet që përballet vazhdimisht me bllokada të brendshme e ka më të vështirë të sigurojë mbështetje për integrimin në organizata ndërkombëtare.

Në komunikatë përmendet edhe zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, duke theksuar se Kosova tashmë ka humbur miliona euro në mënyrë të pakthyeshme për shkak të moszbatimit të masave që kishin afat deri më 30 qershor 2026.

GLPS shpreh shqetësim edhe për rënien e besimit të qytetarëve në proceset demokratike, duke theksuar se pjesëmarrja më e ulët në zgjedhjet e fundit është një sinjal serioz për dobësimin e besimit në aftësinë e sistemit politik për të ofruar stabilitet dhe zgjidhje.

Në fund, organizata u bën thirrje të gjitha partive parlamentare që të ndalin logjikën e bllokimit dhe të sigurojnë formimin e institucioneve, duke vlerësuar se konsensusi politik është shenjë e pjekurisë demokratike dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve. /Lajmi.net/