Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit lanson platformën “Open Data” për rritjen e transparencës

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka lansuar të mërkurën platformën “Open Data”, një nismë që synon të avancojë transparencën institucionale dhe të lehtësojë qasjen e publikut në të dhënat me interes publik. Lansimi u bë gjatë konferencës me temën “Transparenca e të Dhënave – Themeli i Demokracisë dhe Vlerësimeve të Pavarura”, e organizuar në…

Lajme

15/07/2026 13:47

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka lansuar të mërkurën platformën “Open Data”, një nismë që synon të avancojë transparencën institucionale dhe të lehtësojë qasjen e publikut në të dhënat me interes publik.

Lansimi u bë gjatë konferencës me temën “Transparenca e të Dhënave – Themeli i Demokracisë dhe Vlerësimeve të Pavarura”, e organizuar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Agjencisë.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se transparenca dhe qasja në të dhëna përbëjnë një nga shtyllat kryesore të forcimit të integritetit institucional dhe rritjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike.

Ai rikujtoi se gjatë dy dekadave të funksionimit, Agjencia është përballur me sfida të shumta, por ka shënuar edhe arritje të rëndësishme.

“Në këto 20 vjet agjencia ka numëruar, përveç sfidave që ka pasur që nga dita e parë, edhe suksese të shumta. Sukseset fillojnë që nga krijimi i strukturës së agjencisë, rekrutimi i stafit adekuat dhe trajnimi i tyre, si dhe krijimi i legjislacionit bazë për funksionimin dhe procedurave të punës”, u shpreh Buleshkaj.

Sipas tij, platforma “Open Data” përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës institucionale, duke krijuar mundësi më të mëdha për analizë, hulumtim dhe monitorim nga publiku, mediat, shoqëria civile dhe komuniteti akademik.

Në njoftim thuhet se platforma ofron qasje më të lehtë në regjistra dhe të dhëna që lidhen me ushtrimin e mandatit të Agjencisë, me synim forcimin e llogaridhënies dhe promovimin e qeverisjes së hapur.

Gjatë konferencës, udhëheqësi i Divizionit për E-Shërbime dhe Sisteme në APK, Besnik Dragusha, prezantoi funksionimin praktik të platformës, duke bërë të ditur se ajo është zhvilluar me teknologjitë më të fundit të Microsoft-it dhe është ndërtuar mbi bazën e të dhënave SQL Server.

Pas lansimit u mbajt edhe një panel diskutimi me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile, ku u diskutua rëndësia e të dhënave të hapura në rritjen e transparencës, fuqizimin e llogaridhënies publike dhe përmirësimin e politikëbërjes së bazuar në evidencë.

Aktiviteti u organizua në kuadër të “Javës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit”, e cila po mbahet me rastin e 20-vjetorit të themelimit të institucionit, nën moton “20 Vjet Transparencë dhe Integritet – Duke Rritur Besimin, Duke Parandaluar Korrupsionin”. /Lajmi.net/