Trump tërhiqet nga tarifa 20% për anijet në Hormuz: Ngushtica është e hapur për të gjithë trafikun detar, përveç Iranit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndryshuar qëndrimin lidhur me propozimin për vendosjen e një tarife prej 20 për qind ndaj anijeve që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke njoftuar se masa nuk do të zbatohet. Në një reagim të publikuar në platformën e tij Truth Social, Trump bëri të ditur se në…
Bota
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndryshuar qëndrimin lidhur me propozimin për vendosjen e një tarife prej 20 për qind ndaj anijeve që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke njoftuar se masa nuk do të zbatohet.
Në një reagim të publikuar në platformën e tij Truth Social, Trump bëri të ditur se në vend të tarifës do të synojë forcimin e marrëveshjeve tregtare dhe të investimeve me vendet e Gjirit, ndërsa konfirmoi se do të vazhdojë bllokadën ndaj porteve iraniane, transmeton lajmi.net.
Ai theksoi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për trafikun ndërkombëtar detar, me përjashtim të anijeve që nisen ose drejtohen drejt porteve iraniane, si dhe atyre që transportojnë mallra me origjinë iraniane.
“Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjithë trafikun detar, përveç Iranit. Kjo është pasojë e udhëheqjes së tyre, e cila po e çon vendin drejt shkatërrimit. Për këtë arsye do të vendosim një bllokadë të plotë vetëm ndaj anijeve që lidhen me Iranin ose me ngarkesa iraniane”, shkroi Trump.
Vetëm një ditë më parë, presidenti amerikan kishte propozuar vendosjen e një tarife prej 20 për qind për anijet që përdorin këtë korridor strategjik detar, si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të përsëritura të Teheranit për të tarifuar kalimin nëpër ngushticë pas konfliktit të fundit.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjeve mes Uashingtonit dhe Teheranit, krahas programit bërthamor iranian. Trump vazhdon të deklarojë se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore, ndërsa autoritetet iraniane kanë përsëritur synimin për të kontrolluar kalimin nëpër ngushticë dhe për të vendosur tarifa për anijet ndërkombëtare.
Tensionet e krijuara gjatë konfliktit të këtij viti, kur Irani kufizoi në mënyrë efektive qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit, ndikuan në rritjen e çmimeve globale të energjisë dhe shtuan presionin për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike.
Para shpërthimit të luftës, përmes kësaj rruge strategjike kalonte rreth një e pesta e eksporteve botërore të naftës dhe gazit, duke e bërë atë një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë./lajmi.net/